Çështja e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës ende nuk është vënë në rend dite të Kuvendit, ngaqë nuk ka pasur gatishmëri të komunitetit serb, ndërkohë që ka pasur gatishmëri të pozitës e opozitës dhe deputetëve të pakicave tjera jo serbe. Kështu tha sot ministri i FSK-së, Haki Demolli, në Seminarin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që po i zhvillon punimet në Prishtinë.
“Ne jemi të interesuar që të transformojmë FSK-në në FAK dhe jemi të gatshëm për këtë transformim”, tha ministri Demolli në kuadër të sesionit të katërt të seminarit, temë e të cilit është reforma në sektorin e sigurisë në Kosovë.
Para të pranishmëve, ministri Demolli ka shpjeguar se cilët janë mekanizmat shtetërorë që e mbikëqyrin dhe e kontrollojnë FSK-në.
po ashtu ka thënë se Kosova ka treguar një sukses jashtëzakonisht të madh, duke shtuar se në dhjetë muajt e fundit nuk ka asnjë kosovar që është identifikuar se ka shkuar në ISIS.
“Unë më përgjegjësi të plotë e them se asnjë ushtar i FSK-së, asnjë ushtarak i Kosovës nuk është i kyçur në ISIS, madje ju e dini të gjithë, që keni dëgjuar gjatë prezantimit të presidentit por edhe gjatë prezantimit të djeshëm të kryetarit të kuvendit, jam i sigurt edhe nesër do ta dëgjoni nga vetë ministri i Punëve të Brendshme, më këtë rast Republika e Kosovës ka treguar një sukses jashtëzakonisht të madh, sipas informatave që kemi nga ministria e Punëve të Brendshme në 10 muajt e fundit nuk ka asnjë Kosovarë të vetëm i cili është identifikuar që ka shkuar në radhët e ISI-it”, ka thënë Demolli.