Telegrafi

Të fshehura në autobusin që vinte me tragetin e linjës Bari-Durrës, sekuestrohen mbi 176 mijë euro

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Fluksi” janë sekuestruar 176 190 Euro, 500 Dollarë, 50 Euro të falsifikuara, një pako me fishekë çifteje dhe një sasi mallrash në autobusin që vinte me tragetin e linjës Bari-Durrës.

Në vijim të veprimeve, nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Policinë e Shtetit u bë arrestimi në flagrancë i 2 drejtuesve të autobusit ku u gjetën të fshehura paratë dhe mallrat që do të kontrabandoheshin në Shqipëri, konkretisht, 34-vjeçari me iniciale A.A. dhe 51-vjeçari me iniciale A.B.

Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm, të cilët kanë ndihmuar ose favorizuar, drejtuesit e këtij autobusi dhe të autobusëve të tjerë të kësaj shoqërie, gjatë hyrjeve ose daljeve nga PKK Port Durrës.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Trafikimi i armëve dhe municioneve”, “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimi doganore ose të akcizës” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, të kryera në bashkëpunim./Tv Klan