Marenglen Kasmi
Një rol vendimtar në krijimin përfundimtar të kampeve politiko-ushtarake në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore luan pa dyshim takimi i përfaqësuesve të Frontit Nacionalçlirimtar (FNÇ) dhe Ballit Kombëtar në Mukje, më 1-3 gusht 1943. Kësaj marrëveshje i paraprinë një sërë ngjarjesh të rëndësishme në planin botëror, siç ishte kalimi i forcave të Boshtit Qendror në mbrojtje në Stalingrad, zbarkimi aleat në Sicili në natën e 9 korrikut, rritja e mosbesimit të Commando Supremos ndaj elitës politike italiane si edhe shumë faktorë të tjerë të brendshëm e të jashtëm që më 24 korrik 1943 çuan në rënien e Mussolinit dhe krijimin e qeverisë Badoglio.
Si pasojë, gjithë forcave politike shqiptare u duhej të rishikonin qëndrimin e tyre. Kësisoj, edhe Balli Kombëtar filloi të kërkonte negociata me palën tjetër. Ato pak luftime me karakter lokal të kryera nga disa çeta balliste u shfrytëzuan nga kjo organizatë për të hyrë bisedime me FNÇ, i cili kishte kohë që luftonte kundër pushtuesve italianë. Si negociator ndërmjet palëve shërbeu Abaz Kupi. Po ashtu, misioni britanik në Shqipëri këmbëngulte në një luftë të përbashkët të shqiptarëve kundër pushtuesve dhe ishin pikërisht britanikët që e morën nismën për këtë takim. Letërthirrja zyrtare për takimin u bë nga Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, i cili në mbledhjen e tij të datës 9 korrik 1943 vendosi krijimin e një aleance politiko-ushtarake me Ballin Kombëtar. Nëpërmjet letërthirrjes së hartuar nga delegatët e tij, ky Këshill ftonte zyrtarisht organizatën e Ballit Kombëtar në një takim sa më të shpejtë e përfundimtar.
Në këtë kuadër, më 26 korrik 1943, ditë e hënë, në Tapizë u takuan delegacionet e dy organizatave. Ndonëse thirrja për takim u bë më shkrim, Balli Kombëtar e konfirmoi me gojë pjesëmarrjen e delegacionit të tij në këtë takim paraprak. Madje, sipas letrës së Ymer Dishnicës drejtuar Enver Hoxhës, delegacioni i Ballit nuk dëshironte të linte asnjë gjurmë për takimin: “Ne [delegacioni i Ballit] e dinim se do të kemi takim vetëm me Bazin [Abas Kupin] por, meqë jemi aty, atëherë mund të diskutojmë e të bëjmë disa sqarime pa qenë nevoja e një procesverbali”, shkruante Dishnica. Pa hyrë në detaje, në Tapizë palët ranë dakord të takoheshin në Mukje, ku edhe në datat 1-3 gusht 1943 u mbajt konferenca e përbashkët, që ka hyrë në histori me emrin “Konferenca e Mukjes”.
Për drejtimin e mbledhjes u caktua përfaqësuesi i Ballit Kombëtar Thoma Orollogaj. Sekretar u zgjodh përfaqësuesi i FNÇ, Mustafa Gjinishi. Bazuar në bisedimet e Tapizës, delegatët e të dy palëve ranë në parim dakord për vazhdimin e përbashkët të luftës ndaj pushtuesve të huaj, duke miratuar krijimin e Komitetit të Shpëtimit të Shqipërisë, i përbërë nga 12 anëtarë, gjashtë anëtarë për secilën palë. Një nga pikat kryesore të marrëveshjes ishte që lufta do të bëhej për një Shqipëri independente dhe për zbatimin e parimit të njohur universalisht e të garantuar nga Karta e Atlantikut, atë të vetëvendosjes së popujve për një Shqipëri Etnike, një Shqipëri të lirë, demokratike e popullore. Më tej, pas mbarimit të luftës, do të ishte populli ai që do të përcaktonte formën e qeverisjes dhe po ashtu do të zgjidhte forcën politike që duhej të drejtonte vendin. Në krye të Qeverisë së Përkohshme mendohej të zgjidhej Hasan Dosti.
Cilat ishin arsyet e prishjes së marrëveshjes?
Organizimi i ri i dalë nga Mukja e godiste rëndë pozicionin e Partisë Komuniste. Sipas marrëveshjes, komiteti i dalë nga Mukja duhej të drejtonte luftën ndaj pushtuesve të huaj, në një kohë që, PKSH, qysh prej Konferencës së Pezës, më 16 shtator 1942, e kishte filluar qëndresën ndaj pushtuesve italianë. Më tej, PKSH nuk ishte e përfaqësuar mjaftueshëm në këtë Komitet. Anëtarë të Komitetit të Përkohshëm që u zgjodhën nga radhët e FNÇ-së, siç ishte Abaz Kupi dhe Myslim Peza, nuk kishin bindje komuniste. Madje, edhe postet që ata duhej të mbanin, Abaz Kupi, komandant i përgjithshëm i forcave ushtarake dhe Myslym Peza, komandant i forcave operative në rajonin e Tiranës, ishin poste me karakter të mirëfilltë ushtarak. Ndërkaq, Komiteti i Përkohshëm përbëhej thuajse vetëm nga ballistë dhe nacionalistë. PKSH-ja nuk mund ta “kapërdinte” këtë zhvillim. Ajo jo vetëm që kështu dilte në hije, por po ashtu dobësohej edhe roli i saj parësor në drejtimin e luftës, gjë që ja zbehte asaj më pas shanset për të marrë drejtimin e vendit. Kristo Frashëri shkruan se krijimi i Komitetit të Shpëtimit të Shqipërisë ishte një fitore e Ballit Kombëtar.
Më thelbësorja ishte që në Mukje nuk u diskutua për të ardhmen e Këshillave Nacionalçlirimtarë, të cilët përbënin thelbin e FNÇ-së. Këto Këshilla kishin dhënë prova si organe mbështetëse të luftës kundër pushtuesve italianë. Sipas organizimit të ri e të bazuar në marrëveshjen e arritur, ato nuk do të përfshiheshin në organizimin e ri si organe vendore të Komitetit Provizor e Qeverisë së Përkohshme, por duhej të krijoheshin të tjera struktura. Kësisoj, anashkalohej plotësisht organizimi dhe lufta e bërë tashmë nga FNÇ-ja dhe Partia Komuniste. Me të drejtë lind pyetja se kush është ajo forcë politike – si atëherë edhe sot, pa dashur ta thjeshtëzojmë problemin, e cila do të binte dakord me prishjen e strukturave të saj mbështetëse dhe do të lejonte delegimin e forcës së saj te kundërshtari politik? Si rrjedhim, disa ditë pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, PKSH hoqi dorë nga zbatimi i saj, gjë që sigurisht e thelloi hendekun e mosmarrëveshjes ndërmjet shqiptarëve dhe nuk ishte një zhvillim pozitiv për vendin.
Pas viteve 1990 janë hedhur teza se Enver Hoxha dhe Komiteti Qendror i PKSH, ishin dakord me vendimet e Konferencës së Mukjes, por ata duhej t’i anulonin vendimet e saj si pasojë e presionit jugosllav. Është qartësisht e kuptueshme që Partia Komuniste Jugosllave nuk mund të miratonin vendime që rrezikonin mos përfshirjen e Kosovës brenda kufirit jugosllav pas lufte dhe ushtroi presion ndaj Hoxhës. Po ashtu, jugosllavët ishin shprehur kundër tendencës bashkëpunuese të FNÇ-së me Ballin. Gjithsesi, këto janë arsye që qëndrojnë, por nuk janë kryesore në prishjen e marrëveshjes. Kritikat e jugosllavëve ndaj PKSH-së nuk ishin të panjohura për Ballin edhe në Mukje. Këtë e pohon edhe Dishnica kur i shkruan E. Hoxhës se në Mukje “ballistët kërkonin të na paraqesnin ne si njerëz që presim urdhra nga gjetiu. Kurrë nuk ka njeri në Shqipëri që të mos dojë indipendencën, thoshin ata [ballistët]. Sikur ne jemi më pak të vendosur se ata para përgjegjësive.”
Shkaku i prishjes duhet kërkuar te krijimi i Komitetit të Shpëtimit të Shqipërisë, i cili rrezikonte pozitat e PKSH dhe të E. Hoxhës, madje e nxirrte atë fare nga skema e luftës së armatosur. Kësisoj, atij nuk i nevojitej ndonjë këshillë, urdhër apo këmbëngulje e madhe nga pala jugosllave për të prishur diçka që edhe atij vetë nuk i vinte për shtat. Edhe Enver Hoxha në Konferencën e Labinotit, 4-9 nëntor 1943, artikuloi të njëjtin mendim si ballistët në Mukje në lidhje me të ardhmen e Kosovës, që e ardhmja e Shqipërisë etnike varej nga respektimi i Kartës së Atlantikut.
Siç u shkrua më sipër, shkaku i prishjes duhet kërkuar te humbja e rolit parësor të PKSH në luftë dhe jo te Çështja Etnike, çka trumbetohet ende sot më tepër politikisht, sesa bazuar në realitetin historik. Pavarësisht dëshirës së madhe të drejtuesve ballistë për bashkimin e trojeve shqiptare, për të përfituar politikisht, Balli Kombëtar duhej që në Mukje t’i jepte luftës një karakter të gjerë, mbarëkombëtar. Bashkimi etnik duhej të bënte dallimin e Mukjes. Në këtë mënyrë ata shpresonin të fitonin një përkrahje më të gjerë në popull se PKSH-ja. Vetëm thirrja për të luftuar nuk mjaftonte.
Një pjesë e mirë e shqiptarëve kishte kohë që e kishte filluar luftën. Ballit i nevojitej tashmë më shumë se kurrë të kthehej në aktor kryesor në arenën politiko-ushtarake të vendit. Është e pamundur të mendohet se Mit’hat Frashëri nuk e dinte se cila ishte rruga e bashkimit të shqiptarëve dhe kush e vendoste në fund të fundit këtë bashkim. Ai kishte jetuar e përjetuar vendimet e 1913 dhe 1920 në Londër e Paris. Rezultati është i njohur për të gjithë ne.
Harry Fultz, arrin në përfundimin se “Balli Kombëtar ndoshta kërkonte ndonjë arsye për të prishur marrëveshjen kur u bë e qartë se mund të kishte një shans për të punuar me gjermanët. Për këtë arsye, qëndrimi i Hoxhës i leverdiste Ballit Kombëtar dhe veç kësaj i sillte edhe njëfarë kapitali politik. Fundja, Balli Kombëtar kështu nuk mund të mbahej përgjegjës për prishjen e marrëveshjes”.
Nëse konsultojmë dokumentet e arkivave gjermane, shohim se Fultzi ishte një vlerësues i hollë i politikës shqiptare dhe po ashtu njohës i mirë i shqiptarëve. Ndonëse në vitin 1943 italianët shënuan disa suksese në rrafshim ushtarak, siç ishte organizimi i xhandarmërisë shqiptare në prill 1943 dhe kryerja në Kosovë e mobilizimit në ushtrinë shqiptare e tre vitlindjeve, legata gjermane në Tiranë arrinte në përfundimin se “në shumë qarqe nacionaliste shqiptare ende shpresohet se nga kjo situatë e rrezikshme mund të dilet vetëm nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë me gjermanët. Gjithashtu, ata [nacionalistët], shpresojnë të gjejnë një argument për këtë bashkëpunim, për të proceduar kundër disfatistëve të shumtë, anglo-amerikanëve dhe komunistëve”. (PA/AA Rom Quirinal, Bd.130)
Në fakt, tendencat e nacionalistëve shqiptarë për t’u afruar, apo bashkëpunuar me gjermanët, daton më herët se viti 1943! Dokumentet gjermane hedhin dritë mbi një takim të fshehtë të Vehbi Frashërit me këshilltarin gjerman për çështjet etnike në shtabin e Komandantit të Përgjithshëm gjerman në Serbi, në datën 7 dhjetor 1942. (PA/AA, Akten der deutschen Gesandschaft Tirana).
Përveç kërkesës së Frashërit që biseda të mbahej e fshehtë, ai i parashtronte bashkëbiseduesit të tij disa qëndrime të nacionalistëve shqiptarë përsa i përket një kapitullimi të mundshëm të Italisë nga lufta. Gjithmonë sipas Frashërit, nënshkrimi i një paqeje me kushte të veçanta ndërmjet Italisë dhe kundërshtarëve të Gjermanisë do të rriste ndikimin e Anglisë në Mesdhe. “Prandaj, ose ndoshta pikërisht për këtë arsye, qarqet nacionaliste shqiptare shpresonin ende që, me ndihmën e Gjermanisë, [ata] të hidhnin tej sundimin italian”, shprehej V. Frashëri. Madje Vehbiu e ngacmoi më tej bisedën duke thënë: “Në Shqipëri është krijuar një numër çetash të vogla e të armatosura – rreth 20 të tilla – që janë të shpërndara në gjithë Shqipërinë dhe zbatojnë pa hezitim urdhrat e komandës së organizatës së fshehtë nacionaliste shqiptare. Drejtuesit e kësaj organizate janë të gatshëm të kryejnë gjithçka që Gjermania kërkon prej tyre. Ata po qëndrojnë në gatishmëri për kohën kur rrugët e Gjermanisë dhe Italisë do të ndahen”. (PA/AA, Akten der deutschen Gesandschaft Tirana).
Sigurisht që bashkëbiseduesi gjerman, duke i qëndruar besnik aleancës me Italinë, nuk i dha asnjë shpresë Frashërit për një ndërhyrje ushtarake të Gjermanisë qysh në këtë kohë në Shqipëri. Madje, ai u kujdes që të mos i krijonte Vehbiut asnjë iluzion për një mundësi të tillë.
Në dokument lexohet që drejtuesit e kësaj organizate, d.m.th. të Ballit Kombëtar, të paktën qysh në fundvitin 1942, e shikonin të ardhmen e Shqipërisë me Gjermaninë dhe jo në aleancë me Britaninë e Madhe, pra me Aleatët! Kjo gjë jo vetëm që tregon “miopinë politike” të Ballit Kombëtar gjatë Luftës së Dytë Botërore, pas së cilës do të përcaktohej edhe fati i Shqipërisë, por po ashtu është tregues i politikës së çoroditur dhe të paunifikuar të Ballit Kombëtar. Të lidheshe me Gjermaninë në këtë kohë, ishte vetëvrasje politike. Fakti që, pas pushtimit gjerman, Balli Kombëtar bashkëpunoi me ta, nuk le shteg për dyshimin, nëse V. Frashëri ishte dërguar vërtet prej Ballit në këtë takim.
Siç u theksua qysh në krye të shkrimit, në situatën e krijuar, zbarkimi i trupave aleate në Shqipëri apo pushtimi i Shqipërisë nga trupat gjermane ishin çështjet më të diskutuara. Po ashtu, të paktën për forcat nacionaliste, një opsion i hapur ishte edhe rrëmbimi i pushtetit nga komunistët, të cilët në këtë kohë përbënin edhe forcën politike më të organizuar në vend. Strategjia pragmatike e njohur e Ballit Kombëtar e “aurea mediocritas” (shqip: rrugës së mesme, mesit të artë), e cila bazohej mbi mosbashkëpunimin me italianët, por edhe mbi qëndrimin ushtarak pasiv ndaj tyre, nuk rezultoi efikase, ose të paktën jo shumë produktive, për fuqizimin e këtij kampi politik.
Pa vënë asnjëherë në dyshim patriotizmin dhe ndjenjën kombëtare të përfaqësuesve të Ballit Kombëtar dhe dëshirën e tyre për një të ardhme demokratike dhe perëndimore për Shqipërinë, këmbëngulja e Ballit në Mukje që bashkimi etnik të bëhej që gjatë luftës, mund të konsiderohet edhe si një slogan për t’u mbushur mendjen shqiptarëve për seriozitetin dhe rrokjen e organizuar të armëve nga Balli Kombëtar, ndonëse të vonuar. Përse shumë nacionalistë – ata që më vonë e drejtuan Ballin Kombëtar – nuk e përkrahën platformën e Pezës dhe refuzuan bashkëpunimin me komunistët? Madje, mospjesëmarrja e elitës nacionaliste në Konferencën e Pezës më 16 shtator 1942, mund të konsiderohet pa hezitim si dështimi i parë i tyre për t’u bashkuar në një front të vetëm kundër pushtuesit. Sigurisht që, Balli Kombëtar, nuk mund të fajësohet për këtë gjë, sepse ende nuk ishte krijuar si organizatë, pavarësisht tendencave për ta nxjerrë atë si të formuar më kahershëm. Një prezencë më e madhe nacionaliste në Pezë nuk do të kishte lejuar, ose të paktën do ja kishte vështirësuar punën PKSH-së, që ajo gradualisht të mbyste ndikimin nacionalist në FNÇ, më pas ta dominonte atë, e nëpërmjet luftës të siguronte ardhjen e saj në pushtet.
Kësisoj, mund të themi se, në një farë mënyre, “flegmatizmi nacionalist” lejoi që në Pezë të hidheshin rrënjët e komunizmit në Shqipëri. Kush i njihte dhe përkrahte komunistët në këtë kohë, e aq më pak në një vend ku komunizmi si ideologji as njihej e perceptohej fare? Koha tregoi se pasi PKSH-ja me ndihmën e nacionalistëve si Myslim Peza, Abaz Kupi etj., duke përdorur si lajtmotiv luftën kundër pushtuesit dhe bashkimin, siguroi mbështetjen e një pjese të madhe të popullit. Më pas i flaku tej elementët e padëshiruar, siç ishte Abaz Kupi.
Balli Kombëtar e kuptoi që qëndrimi i mënjanuar e dëmtonte atë. Prandaj, ai duhej të bënte një përpjekje bashkimi ose të paktën të krijohej përshtypja se Balli tashmë ishte gati që, për të mirën e vendit, të bashkëpunonin edhe me komunistët.
Është e vështirë të besohet se Balli Kombëtar besonte vërtet që komunistët do të miratonin vendime kaq diskriminuese ndaj tyre. Gjithsesi, nëse marrëveshja do të prishej, ishin komunistët shkaktarët e prishjes. Aq më tepër kur prishja, sipas tyre, do të bëhej duke refuzuar një aspiratë madhore, siç ishte bashkimi etnik i shqiptarëve. Kështu që, më tepër se një dëshirë e vërtetë për bashkim, krijohet përshtypja e një loje të hollë politike të Ballit. Nëse marrëveshja funksiononte, Balli merrte drejtimin e luftës. Nëse ajo nuk pranohej nga komunistët, ata ishin të justifikuar – siç vazhdohet të interpretohet ndonjëherë edhe sot.
Është e pakundërshtueshme që E. Hoxha ishte i interesuar të sundonte i vetëm pas luftës. Këtë gjë e provuan shqiptarët deri në lëkurë për mëse 40 vjet. Gjithsesi, t´ia hedhësh vetëm atij fajin e dështimit të bashkëpunimit mes shqiptarësh nuk përkon plotësisht me realitetin. Supozimi se, Balli Kombëtar ishte i detyruar të bashkëpunonte me gjermanët si pasojë e fillimit të luftës civile pas prishjes në Mukje, është tepër i dyshimtë dhe i diskutueshëm. Siç edhe e theksuam më sipër, Balli Kombëtar e kish kërkuar bashkëpunimin me gjermanët, të paktën qysh në fundvitin 1942.
Si Balli Kombëtar, ashtu edhe Partia Komuniste kishin të njëjtin shqetësim, ardhjen në pushtet pas luftës. Edhe pretendimi që artikulohet sot rëndom se Balli Kombëtar ishte i interesuar në formën e qeverisjes dhe jo të vinte në qeveri është po ashtu i pasaktë dhe jo logjik. Si atëherë e ngahera, një forcë politike punon për të ardhur në pushtet. Përse duhet që Balli Kombëtar si një forcë politike të mendonte e vepronte ndryshe? Sigurisht që pushteti nuk mund të merrej me dhunë, por Balli Kombëtar tashmë ishte diskretituar në sytë e shqiptarëve si bashkëpunëtor i pushtuesve. Fajtori kryesor për këtë diskretitim ishte ai vetë, e jo komunistët.
Pavarësisht se Marrëveshja e Mukjes nuk u pranua nga PKSH-ja, për Ballin Kombëtar opsioni i luftës kundër pushtuesve gjermanë, pa bashkëpunuar me LNÇ, por me grupimet e tjera jokomuniste dhe me mbështetjen e anglezëve, mbeti gjithnjë i hapur. Balli Kombëtar ishte e vetmja forcë politike shqiptare, në të cilën nuk u atashua zyrtarisht asnjë mision aleat gjatë luftës. E para, sepse ai konsiderohej nga aleatët si bashkëpunëtor i gjermanëve dhe së dyti dhe çfarë është më kryesorja, Balli Kombëtar nuk arriti asnjëherë të formatohej si një organizatë kompakte politiko-ushtarake.
Kjo taktikë e çoroditur e Ballit Kombëtar i erdhi për shtat Partisë Komuniste. Ajo e shtoi propagandën kundër Ballit Kombëtar dhe duke e konsideruar atë si organizatë bashkëpunëtore me pushtuesit, ndërmori aksionet e para luftarake kundër tij. Bashkëpunimi, si mjet për të asgjësuar partinë rivale, në fund të vitit 1943, ndonëse u paralajmëruan nga anglezët për konsekuencat politike të kësaj strategjie, u dukej ballistëve si rruga më e sigurt dhe, me sa duket edhe më komode, për të ndaluar rritjen e lëvizjes komuniste. Kjo gjë e ndihmoi Partinë Komuniste që si fillim, ta demaskonte atë në popull dhe më vonë ta asgjësonte këtë organizatë politikisht dhe fizikisht.
Disa interpretime të sotme, ku në qendër të tyre vendoset viktimizimi i Ballit Kombëtar nga komunistët, duke mos kryer analiza gjithëpërfshirëse historike, por duke u bazuar kryesisht në emocione dhe kujtime personale të protagonistëve ballistë, të shkruara kohë më vonë dhe siç ndodh shpesh në këtë gjini shkrimi, me ngjyrime narciziste, nuk e lan përgjegjësinë politike të Ballit Kombëtar për “lehtësirat” që i krijoi Enver Hoxhës për të ardhur në pushtet! Përvoja historike tregoi se Balli u orientua gabim qysh në fillimet e tij. Duke besuar në fuqinë gjermane, kërkoi ta shfrytëzonte atë për të ardhur që gjatë luftës në pushtet, ose të paktën të dilte si faktor i fortë politik nga lufta, duke asgjesuar kundërshtarin politik me ndihmën e gjermanëve.
Për fatin e keq, mbështetja kërkohej te kampi i gabuar dhe jo te Aleatët. Drejtuesit e Ballit nuk e kuptuan mesazhin e kohës, por zgjodhën rrugën e rehatisë dhe jo të luftës. Në këtë këndvështrim, edhe Mukja ishte e destinuar të dështonte qysh në fillimet e saj. Nuk ishte Çështja Etnike ajo që prishi marrëveshjen, madje të pretendosh se nacionalistët shqiptarë u sakrifikuan për çështjen e Kosovës është naivitet. Edhe sikur Çështja Etnike të mos ishte trajtuar në Mukje, ky bashkëpunim nuk do të kishte funksionuar. Nëse FNÇ-ja ishte nën dominimin komunist, organet e dala nga Mukja dominoheshin nga ballistët. Po ashtu, të dyja palët nuk ishin të gatshme të pranonin rolin drejtues të palës tjetër! Është absurde të mendohet se, Partia Komuniste mund të pranonte një strukturë drejtuese të luftës që nuk dominohej prej saj, e sidomos në një kohë, kur kishte afro dy vjet që luftonte.
Përfundimisht, Mukja u prish në mënyrë të njëanshme nga Enver Hoxha. Ky është fakt! Me arsyet e prishjes vazhdohet ende sot të luhet, historikisht dhe politikisht. Balli Kombëtar, si para ashtu edhe pas marrëveshjes së Mukjes, dominohej nga përçarja dhe mosmarrëveshjet ndërmjet rrymave të brendshme, duke mos arritur asnjëherë të konsolidonte një mendim politik dhe ushtarak për qëndrimin që duhej të mbante kjo organizatë ndaj pushtuesve dhe aleatëve.
Prishja e njëanshme e Mukjes nga komunistët, nuk e justifikon Ballin Kombëtar nga përgjegjësia e dështimit politik dhe ushtarak. Lufta e Dytë Botërore ishte një provë për nacionalizmin shqiptar. Në mos po më seriozja. Kjo elitë nuk e mendoi asnjëherë që “fantazma e komunizmit që sillej nëpër Evropë” do të “bënte jatak” edhe në Shqipëri dhe, ky dështim, i gërshetuar me natyrën e këtij konflikti botëror dhe aleancat që u krijuan në të, rezultoi në favor të Enver Hoxhës. Fundja, i takonte pikërisht kësaj elite politike dhe shoqërore me përvojë të ishte më largpamëse, sesa komunistët e dalë rishtas, të parritur e pjesërisht të arsimuar. Mesa duket, me dështimin e radhës, nacionalistët shqiptarë nuk bënë gjë tjetër, veçse e shtynë Shqipërinë një hap më pranë diktaturës 45-vjeçare të Enver Hoxhës. /Gazeta Dita/