Është bërë rutinë që në Ballkan të dëgjosh togfjalëshin dhe refrenin “procese euro-integruese, integrime euro-atlantike”, e shumë e shumë gjëra të tjera, saqë nuk i japin përshtypje as bujkut këto fjalë, sepse edhe ai është ngopur, e mos të flasim më për elitat dhe intelektualët e mirëfilltë. Këtë togfjalësh dhe refren më së tepërmi e dëgjojmë nga pushtetarët dhe shtetarët aktual maqedonas në qeveri, saqë të ngjallin dhe japin një lloj neverie dhe sikleti të theksuar, që vështirë se mund ta mbash. E aq më shumë kur e dëgjojmë kryeministrin, ministrat, e qeveritarët tjerë që përdorin çdo minutë këtë togfjalësh, ndërsa në çdo moment marrin kritika dhe pika negative nga Brukseli dhe qendrat e vendosjes ndërkombëtare.
Këtyre ditëve, në një gazetë shqiptare pata rastin të lexoj një artikull në lidhje me ftohjen dhe prishjen e marrëdhënieve me OSBE-në nga ana e pushtetarëve “tanë”. Kohë më parë në gazetë u paralajmërua dhe informua edhe për përkeqësimin dhe ftohjen e marrëdhënieve me eurodiplomatin, z Fuere. Këtu nuk duhet harruar edhe vlerësimet negative për çdo gjë, nga ana e diplomatëve të tjerë ndërkombëtarë, duke mos e harruar edhe pezmin dhe vrerin e mbledhur edhe nga ana e shqiptarëve si dhe komuniteteve të tjera pakicë në Maqedoni.
Kritikat vijnë edhe nga ana e fqinjëve. Kësisoj Bullgaria nxjerr shifra me dëshmi për numrin e bullgarëve në Maqedoni, Greqia siç dihet kërkon me ngulm ndryshimin e emrit të vjedhur nga “ata” e shumë e shumë gjëra të tjera… Ndërsa ende dëgjojmë të folurit evropian nga ana e qeveritarëve.
Dëgjojmë nga qeveritarët dhe participientët qeveritarë se marrëdhëniet ndëretnike janë të relaksuara, ndërsa nga ana tjetër kemi një varg serik të problemeve si p.sh: paralajmërime për protesta gjithëpopullore, për konflikt të mundshëm, greva të shqiptarëve nëpër burgje, imponime të politikave sllavocentriste sikurse është të mësuarit e sllavomaqedonishtes nëpër shkolla, mungesën e investimeve nëpër zonat shqiptare, eksodin e shqiptarëve për botën e jashtme, mungesën e vullnetit për zgjidhje të statusit të luftëtarëve shqiptarë të 2001-shit të garantuar ndërkombëtarisht me arbitrazh ndërkombëtar nga Marrëveshja letargjike e Ohrit, aksione spektakolare të arrestimit të të dyshuarve për korrupsione, të cilët pas ca muajsh jemi mësuar ti shohim të lirë dhe të pafajshëm, e shumë e shumë gjëra të tjera që kanë mbushur kupën.
Ndërsa në njërën anë kemi këtë pasqyrë të zymtë, karakteristike për mentalitetin bizantin, në anën tjetër kemi refrenet evropiane të elitës shtetërore, thuaja se neve si shqiptarë nuk e dimë se çdo të thotë të sillesh dhe të jesh evropian.
Andaj të nderuar shtetarë, ndryshe është të flasësh si evropian e të mendosh dhe veprosh si bizantin. Me projekte që tensionojnë marrëdhëniet ndëretnike, me projekte si “Shkupi 2014” që rrezikojnë të kthejnë Maqedoninë dhe Ballkanin në vitin 1914, vështirë se mund të perceptoheni si evropian. Evropa ka lënë anash ksenofobitë raciste dhe dashakeqe, ndërsa ju lëre që i kultivoni të njëjtat, po edhe mburreni dhe i shfrytëzoni për të përfituar poenë politikë, si dhe influenconi edhe masat popullore, që për fat të keq janë shndërruar në lypsarë dhe robotë, ngase i talluri të tall. Dhe prapë paralelisht me këto zhvillime negative, lodhemi duke dëgjuar nëpër televizionet e ndryshme refrenet e mërzitshme që na lodhin, ngase e dimë sepse paraqesin vetëm broçkulla dhe asgjë tjetër. Me sa duket për ju, fjala e urtë “Ai qe di më së shumti, flet më së paku dhe vepron më së shumti”, nuk vlen.
Andaj na është bërë mjaft, siç thonë francezët Ras-le-bol. Ngase duke dëgjuar çdo ditë e më shumë përpjekjet bizantine për “mos humbjen e identitetit maqedonas dhe promovimin e të njëjtit” dëshmohet edhe më shumë se ky identitet është shpikje e llojit që mund të definohet me fjalën e urtë, “ Pyetën mushkën, cilin ka baba; "kam dajë kalën" – tha ajo”.
Andaj siç do të thoshte ish-presidenti historik i Kosovës, i ndjeri z. Ibrahim Rugova, “Demokracia është të hash gurë” në kuptimin që duhet përkushtim dhe sakrificë e madhe, ashtu edhe unë kam porosi që besoj se çdo intelektual e ndan, “të jesh dhe të sillesh si evropian është privilegj, kënaqësi dhe vlerë, por është edhe sakrificë, fleksibilitet, përkushtim dhe veprim aktiv”. E ne deri më tani shohim vetëm kryeneçësi, imponim, vulgarizim të demokracisë dhe sjellje bizantine. Andaj i nderuar kryeministër dhe të nderuar qeveritarë aktualë, kujdes sepse duhet të keni parasysh fjalën domethënëse “Ç’ke moj zemër që rënkon; koka bën, koka pëson”.