Një modifikim të thënies së famshme të Shekspirit në veprën e tij “Hamleti”, “Të rrosh a të mos rrosh”, fatkeqësisht tek ne sot zë vend. Tek Hamleti, sikur edhe tek ne esenca është të thuash të vërtetën dhe për ta dëshmuar këtë qëndron dilema hamletiane e sotme – “Të flasësh apo të mos flasësh?
Derisa Hamleti ishte i shtyrë të merrte hakun për vdekjen e të atit, qytetarët Kosovës, që në krahasim me veprën e Shekspirit personazhet janë të trilluar nga mendja e tij, këta të fundit janë të vërtetë dhe jo pjell e imagjinatës së ndokujt. Por, cili është korelacioni në mes Hamletit dhe qytetarit të sotëm të Kosovës? Në të dy rastet është shtyrja për të kërkuar drejtësinë nga njerëzit që na udhëheqin, e të cilët janë të verbuar nga lakmia për pushtet. Si për ironi kjo vepër kaq e famshme, por tragjike ka kaq lidhshmëri me ne sot, pasi edhe fati ynë ka qenë dhe vazhdon të jetë tragjik dhe, me të drejtë çdo qytetar i Kosovës pyet veten “Të rrosh apo te mos rrosh”?
Një pjesë e vogël e qytetarëve, që janë politikanët jetojnë mbi kurrizin e popullit të varfër, që vuajnë për një kafshatë bukë qofte ajo edhe bajate. Klaudi tek Hamletit që është sinonim i korrupsionit dhe etjes për pushtet, figura e tij ngërthen në vete veset e pushtetarëve tanë të sotëm, të cilët nuk duhet të harrojnë se në e dimë se ata “vranë dhe ende po vrasin” jo një Hamlet, por shumë të tillë pasi i gjithë populli është Hamletian.
Ne vetëm mund të supozojmë se intertekstualiteti i kësaj vepre është marr nga një ngjarje e vjetër Daneze, por atë që mund ta themi me siguri është se qytetarët e Kosovës po përjetojnë tmerr të humbjes së identitetit njerëzor nga ata, të cilët përveç lekut dhe pushtetit nuk njohin asgjë. Në çdo aspekt kemi një bastardim të jetës, jemi të detyruar të zgjohemi duke dëgjuar se çfarë thotë X politikani, duke iu drejtuar popullit nga kolltukët e shtrenjtë, e duke u vetëlavderuar, e plot demagogji të tjera. Ata qytetarin e trajtojnë si shërbëtor, dhe sponsor kur te vjen puna për votë. Andaj ne si shoqëri kërkojmë ndryshimin e këtij mentaliteti qeverisës, ku qytetari mos të shikohet si qenie, e cila kërkon të jetoj një jetë të dinjitetshme.
Deri kur do të shohim rrugët plot me të rinj, që sorollatën kot, dhe në mungesë të perspektivës kërkojnë alternativa të ndryshme për të dalë jashtë vendit. Deri kur te kemi të rinj që përfundojnë fakultetin e punojnë kamarierë, deri kur do të kemi nepotizëm dhe njerëz qe e kanë vendin në burg e janë të ulur në kolltukët e shtrenjtë, të blerë nga djersa e qytetarit të ndershëm, … deri kur të kemi frike të flasim të vërtetën se mund pësojmë keq në shumë mënyra. Deri kur…?
Sot më kollaj është të humbasësh vendin e punës se ta fitosh, sepse punëtori dhe i ndershmi sot cilësohen “të marrë”, ndërsa servilet dhe analfabetët janë të fshehur pas xhipave të shtrenjtë.
Fjala e lirë qofte edhe kur nuk është e drejtë është me e mirë se një e drejtë e heshtur, pasi nëse nuk e shpreh askush s’mund ta dijë se çfarë mendon, dhe ky duhet të jetë premsi mbi të cilin duhet të ndërtojmë një shoqëri e bazuar mbi respektimin e mendimit dhe shprehjes së lirë. Ne sot fatkeqësisht nuk jemi të lire të flasim, jo në kuptimin klasik të fjalës, por ne sensin kritik të fjalës, me qëllim përmasimin e jetës sonë. Standardi ynë i jetës nuk e tejkalon atë të shteteve më të varfra afrikane.
Askush nga ne nuk e ka menduar se edhe pas 12 vjetësh të pas luftës, nuk kemi ngritje të cilësisë së jetës në asnjë segment, e për më tepër të shohim njerëz që nga pamundësia për një jetë më të mirë, nuk kanë zgjidhje tjetër pos fundit tragjik atë të vetëvrasjes, një fenomen mjaft shqetësues.
Këta njerëz nuk na lanë pa na zhveshur edhe nga kombësia, na e sollën një flamur pa asnjë element shqiptar, një himn pa tekst, dhe shiten çdo gjë që munden, pasi ashtu arritën të fyejnë xhepat e tyre.
A është kjo Kosova që ëndërruam, e për të cilën dhanë jetën me mijëra e mijëra dëshmorë? Definitivisht JO. Andaj duke e parë që vendi ynë po shkon në kahje jo të duhura, elita intelektuale duhet të mobilizohet, që të kthejmë në binaret e duhura, sepse ja kemi borxh vendit.
Këta njerëz jo vetëm që po na e dëmtojnë të tashmen, por edhe historinë. Çfarë do të mësojnë nesër fëmijët tanë në libra të historisë, që Presidenti i parë i Kosovës së pavarur dha dorëheqjen pasi shkeli Kushtetutën dhe, që Qeveria e cila shpalli Pavarësinë u vetëshkarkua.
Koha është të veprojmë, jo që të ndryshojmë “Klaudin e Shekspirit”, por që të zhdukem një të keqe, e cila po na e errëson të ardhmen, dhe për më tepër s’po na lë të jetojmë as të tashmen.