Vitin që po lëmë pas, qytetarëve të Kosovës pak u jep vullnet për ndryshime pozitive. Kriza e thellë ekonomike në vend, shtimi i papunësisë, të hyrat ditore 1.5 euro për kokë banori, me të hyra mesatare mujore 200 euro, thellimi në korrupsion ditë e më tepër… janë fakte të mjaftueshme për secilin qytetar se gjendja në vend është tepër shqetësuese. Nëse shikojmë nga këndvështrimi i shpenzimeve ditore, apo mujore i qytetarëve në vendin tonë, po ashtu vërejmë se ekziston një debalans në mes të hyrave mujore dhe asaj që shpenzohet në pjesën dërmuese të popullatës, si shtresë e varfër që ka përshkuar vendin tonë.
Po aq sa rritet varfëria në vend, pothuajse shtohet luksi si dhe teprimi në gjëra të pavlera. Një ndër investimet pa vend, të panevojshme, pse jo dhe shumë të dëmshme qoftë nga aspekti i ndotjes se ajrit, i shkatërrimit të pasurisë, rrezikimit të jetës së njeriut etj., është dhe investimi në mjete piroteknike dhe fishekzjarrë. Doganat e Kosovës çdo vit shënojnë rritje në importim të mjeteve piroteknike dhe fishekzjarrëve. Këtë vit janë importuar në vlerë prej mbi tre milionë eurove mjetet e tilla. Nëse do të bënim krahasime me shtetet e pasura evropiane, do t’ua kalonim atyre koston e shpenzimeve në mjete piroteknike krahasuar me të hyrat tona.
Ndër objektivat e fesë islame është: ruajtja e jetës së njeriut dhe ruajtja e kapitalit-pasurisë së tij. Ruajtja e qenies njerëzore është në fokus të islamit, ngase ai është krijesë më fisnike, i respektuar te Zoti i tij. Ndaj i tërë përkushtimi i është bërë njeriut me qëllim që t’i mundësohet atij jetesa e jo mbytja, pra të jetojë me perspektivë, dinjitet, rehati etj. Në momentin që njeriut i kanoset rreziku për jetë, doemos duhet intervenuar për t’i kthyer atij perspektivën e jetës. Nga këtu konkludojmë se nëse dikush feston, aq më tepër kur nuk di se çka dhe për kë feston, gjithnjë në kurriz dhe dëm të tjerëve, me perspektivë për të gjithë qytetarët (pavarësisht a festojnë apo jo) do të ishte sikur qeveria të merrte iniciativa për të stopuar përdorimin e këtyre mjeteve të cilat për çdo vit sjellin kob në shumë familje. Mjetet e informimit njoftojnë se janë identifikuar mbi njëzet raste në Kosovë të të lënduarve nga mjetet piroteknike, dy nga ta kanë humbur shikimin, kurse njëri nga ta përballet me vdekje. Shikuar nga këndvështrimi islam, jo vetëm që nuk mund tu gjesh arsye viktimave (duke përjashtuar ata që janë dëmtuar pafajësisht), por të dhimbsen se do të përballen me ndëshkim edhe para ligjvënësit.
Legjislacioni islam ka vendosur kritere bazë për ta menaxhuar apo shfrytëzuar pasurinë. Jemi të thirrur fetarisht që ta ruajmë e ta shtojmë pasurinë, e assesi ta dëmtojmë, qoftë pasuri e jona apo e të tjerëve. Prandaj, me përgjegjësi të plotë konstatoj se harxhimi i pasurisë në këtë mënyrë siç po veprohet tek ne me rastin e festave të fund vitit, ku shpenzohen miliona euro në mjete piroteknike, apo afro një milion për sms etj., jo vetëm që është mëkat i dyfishtë, por dhe humbje e begatisë së pasurisë. Me siguri se nëse të gjitha ato mjete do t’i dedikoheshin jetimëve, skamnorëve, të sëmurëve apo do të investoheshin në rritjen dhe zhvillimin e ekonomisë në vend, do të ishte shumë më mirë dhe më e qëlluar.
Këto objektiva që i theksuam duhet t’i shërbejnë shoqërisë kosovare, posaçërisht komunitetit mysliman që të vetëdijesohen e t’ju shmangën gjërave që nuk e ndërlidhin jo vetëm me festat fetare, por edhe janë larg interesave jetësore. Ky pra është një mesazh i islamit karshi gjithë njerëzimit, posaçërisht komunitetit tonë i cili u dëshiron atyre jetë të mirë në vazhdimësi, qetësi shpirtërore e fizike, tejkalim të sfidave, siç ju dëshiron atyre sa ma pak brenga e përvuajtje. Gjithashtu nuk duhet harruar se jurisprudenca islame e tëra është në interes të njeriut, siç është e përkushtuar në vazhdimësi sjelljen e mirësive dhe avancimin e tyre, pengimin e gjërave të dëmshme dhe minimizimin e tyre. Ndaj, angazhimi për të përmirësuar mirëqenien njerëzore është e kërkuar prej çdo kujt që është i thirrur apo predisponon mekanizma për të.