Telegrafi

Të enjten seanca e fundit e Kuvendit të Kosovës për këtë sesion

Foto: Arkiv

Deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhen edhe dy herë gjatë kësaj vere, para se të shkojnë në pushime.

Seanca e fundit për këtë sesion është paralajmëruar të mbahet të enjten.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, shefja e GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila bëri të ditur se deputetët të mërkurën do të mblidhen për të vazhduar trajtimin e pikave të papërfunduara, ndërsa të enjten do të mbahet seancë e re parlamentare.

Në seancën e re të radhës pritet të shqyrtohet edhe propozim-vendimi i qeverisë për masat emergjente në furnizimin me energji elektrike.

Po ashtu në seancën e së enjtes në shqyrtim do të jenë edhe 20 projektligje të reja, derisa është e paraparë të mbahet edhe interpelancë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për çështjen: “Ligji i zyrtarëve publikë”, kërkesë kjo e GP të AAK-së.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri ka kërkuar nga ekzekutivi që brenda këtyre 30 ditësh afat të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që mos të ketë më kthim prapa.

Deputeti Tahiri tha se në këtë mbledhje është diskutuar situata politike në vend, dhe siç tha për AAK-në është me rëndësi që vendimi për ri-kthimin e ligjshmërisë, dhe sundimit të ligjit në gjithë territorin e Kosovës të zbatohet.