Telegrafi

Të enjten ndeshja e mbetur: Drita synon t’i afrohet kreut, Llapi të arkëtojë pikë

Ndeshja e mbetur nga xhiroja e parë e Superligës së Kosovës në futboll, ndërmjet Dritës dhe Llapit, do të zhvillohet të enjten (3 dhjetor)

Të dyja skuadrat do të hyjnë në Stadiumin e Qytetit në Gjilan mjaft të motivuara, pas fitoreve të regjistruara në kuadër të xhiros së 15-të.

Skuadra nikoqire të dielën regjistroi një fitore dramatike (3-2) në derbin më të madh lokal, kundër rivalit të qytetit, Gjilanit.

Drita që ka pesë pikë më pak se lideri Ballkani, do të përpiqet ta shfrytëzojë këtë ndeshje për ta ngushtuar diferencën me kreun e tabelës.

Ndërkohë, Llapi arriti fitore shumë të rëndësishme në udhëtim te Drenica (1-0), ndërsa pikët i ka më se të nevojshme për të tentuar largimin nga zona e rrezikut për rënie nga liga. /Telegrafi/