Site icon Telegrafi

Të enjten fillon ‘play-offi’ në hendboll, pritet ndeshje interesante mes Prishtinës dhe Trepçës

(Foto: kosovahandball.info)

Në kampionatin e Kosovës në hendboll (meshkujt) të enjten fillon faza e tretë e garave. Pas edicionit të rregullt në Superligë dhe Superligës A, koha është për ‘play-off’, përkatësisht për fazën vendimtare në luftë për titull të kampionit.

Prej orës 20:00 luhet gjysmëfinalja e parë e ‘play-offit’ në mes të Besa Famgas dhe Rahovecit. Ndonëse Besa është vendase, ndeshja luhet në Rahovec. Besa Famgas i ka fituar të gjitha 28 ndeshjet e këtij edicioni dhe llogaritet favorite e madhe. Por, Rahoveci do të jap më të mirën në tentim për të befasuar pejanët.

Skuadra që shënon dy fitore, apo një fitore e një barazim, zë vend në finale të ‘play-offit’. Besa starton prej pozitës së parë. Rahoveci prej të katërtës.

Gjysmëfinalja tjetër në mes të Prishtinës dhe Trepçës luhet nga ora 20:30 në kryeqytet.

Prishtina është e dyta, ndërsa Trepça e treta. Marrë për bazë përballjet e këtij edicioni, pritet lojë e fortë dhe dramatike deri në fund.

Pak ditë më parë dy skuadrat me traditë u takuan në Mitrovicë. Ndonëse vendasit udhëhoqën shumicën e kohës, Prishtina fitoi me rezultat 29-28. Edhe ndeshjen e parë në Mitrovicë, Prishtina e kishte fituar për një gol, 24-23. Në kryeqytet, Trepça mori barazim 34-34 në ndeshjen e parë. Ndërsa ndeshjen e dytë Prishtina e fitoi me rezultat 31-24.

Prishtina llogarit në fitoren e parë të ‘play-offit’, por edhe ‘Xehetarët’ udhëtojnë për sukses.

Exit mobile version