Para ca ditësh u shpall botërisht nisma e intelektualëve shqiptarë nga Shqipëria për të pasur të drejtë pasaporte të shtetit të Shqipërisë edhe shqiptarët që jetojnë dhe veprojnë jashtë shtetit të Shqipërisë. Në mungesë të tekstit integral të kësaj nisme, por duke kuptuar idenë e saj ka shqiptarë jo të shtetit shqiptar, të cilët janë nxitur nga kjo nismë së paku për të menduar çfarë do të thotë kjo, cilat janë motivet e autorëve të saj, çfarë pasojash mund të ketë realizimi i kësaj nisme për shtetin e Shqipërisë, për shqiptarët e diasporës dhe për shqiptarët e Republikës së Kosovës, të atyre në Republikën e Maqedonisë, në Republikën e Malit të Zi dhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës, cila është domethënia dhe rëndësia e kësaj nisme për Republikën e Shqipërisë sot dhe nesër, etj.
Duke menduar për këto çështje kujtova përvojën jo aq të ndjekur dhe të njohur të Irlandës, të Kroacisë, të Izraelit, pjesërisht edhe atë të Polonisë, që, në forma të veçanta, e kanë zbatuar këtë përvojë, pavarësisht nga ndërprerja kohë pas kohe e imponuar për shkaqe politike, ushtarake, etj. Vendet e përmendura, siç është e njohur, janë ndër vendet me diasporë të hershme dhe relativisht të madhe në krahasim me banorët e vendeve të tjera, por edhe në krahasim me banorët vendas dhe të drejtat e tyre në shtetin e vet. Kuptohet, ky raport është i ndryshueshëm, por për çastin e të menduarit për nismën e intelektualëve të Shqipërisë është i rëndësishëm fakti se e drejta për të cilën u dha nisma ka një histori të përgjithshme. Kjo histori, sado pak e njohur ose e përpunuar, tregon se ato vende, që e kanë zbatuar këtë të drejtë njerëzore, kanë arritur të mbajnë lidhje të gjalla me të emigruarit e tyre, sidomos me ata të ngulitur në disa vende të shteteve tejoqeanike, veçmas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada. Madje, Kroacia, Irlanda, Izraeli, etj., zhvillimin e përgjithshëm ia atribuojnë edhe rolit të diasporës së tyre, sidomos lidhjes së përhershme institucionale me diasporën. Të emigruarit e këtyre vendeve i kanë sjellë dobi shtetit ku jetojnë dhe punojnë si edhe shtetit burimor të tyre. Sa i përket vendit ku janë stabilizuar dhe kanë të drejtën e një shtetësie, dobitë e tyre janë të njohura. Ndërkaq, dobia e tyre nga dyshtetësia e përfituar me anë të të pasurit të dy pasaportave shfaqet në disa fusha, nga të cilat përmendim tejbartjen ose transferin e parimeve, të metodave dhe të mjeteve të zhvillimeve ekonomike, kulturore e shkencore nga vendi emigrues në vendin e tyre dhe të të parëve të familjeve të tyre dhe anasjelltas; hap procesin e themelimit të institucioneve gjithëkombëtare, ngrit intensitetin e kohesionit ndërshqiptar, etj. Këto janë procese me vlera kapitale për zhvillimin e kombit shqiptar.
Vendet ku është zbatuar përvoja e dyshtetësisë kanë shoqata të të emigruarve të tyre të organizuara në nivel relativisht të lartë. Me organizmin e këtyre shoqatave organet dhe institucionet e shtetit kroat, irlandez, izraelit, etj. komunikojnë sistematikisht në mbështetje të politikës së konceptuar dhe të veprimtarisë së organeve dhe të institucioneve shtetërore të angazhuara për zhvillimin e kësaj veprimtarie. Por, edhe qytetarët e emigruar nga këto vende kanë dobi nga lidhja e ngushtë me vendin amë të familjes dhe të farefisit të tyre. Përpos të drejtave njerëzore, qytetare të siguruara me instrumente shtetërore, emigrantët e diasporës gëzojnë edhe të drejta të veçanta. Me rëndësi është fakti që secili “ka të drejtën t`i njihet personaliteti juridik në çdo vend e në çdo rast”. Për këto të drejta gjithsesi juristët do të flasin më me kompetencë. Por, edhe të tjerët mund të flasin për të drejtat e sigurimit shoqëror, të marrjes pjesë në jetën kulturore, të shfrytëzimit të të mirave nga zhvillimi i artit e i shkencës dhe të mirave që vijnë së andejmi (Neni 22, 27 i Deklaratës së Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut). Juristët duhet të flasin më shumë për lidhjen e përmbajtjes së nenit 15 e 13 të kësaj Deklarate me të drejtat kushtetuese të vendeve ku jetojnë shqiptarët.
Lidhur me të drejtat e shtruara në Deklaratën e përmendur nismën e intelektualëve shqiptarë të Shqipërisë e kam përjetuar si respekt ndaj dinjitetit të të gjithë atyre, që nuk kanë pasur fat të jetojnë në shtetin e Shqipërisë. Duhet thënë se mbi të gjitha ndjenja e sigurisë qytetare luan rol të rëndësishëm te qytetari, i cili, për shkaqe të ndryshme, ka qenë i detyruar të emigrojë nga vendi i dashur i tij, kurse ai i ka siguruar të drejta të veçanta. Tjetër ndjenjë sigurie ka qytetari me pasaportë të shtetit emigrues dhe të shtetit të familjes “domicile”, sepse ai di që për të kujdesohet edhe shteti i dikurshëm i tij dhe tjetër ndjenjë sigurie ka ai që nuk ka pasaportë të tillë.
Integrimet ndërshtetërore dhe shqiptarët
Proceset e hapura të integrimit dhe të globalizimit “gëlltisin” gjithnjë e më shumë identitetin e vetëdijes kombëtare dhe përmbajtjen e saj. Në raport me këto procese, posedimi i pasaportës së shtetit të Shqipërisë nga ana e shqiptarëve kryen funksionin e mbështetjes së këtyre proceseve duke ruajtur adresën e kombit, të cilit i përkasim. Ndërkaq, “beneficionet”, që i jep të pasurit e kësaj pasaporte për shqiptarët jashtë Shqipërisë, do të luajnë rolin e “mburojës” nga mbulesa e integrimeve dhe e globalizimit të pashmangshëm. Kjo temë meriton shqyrtim të posaçëm nga sociologët, juristët, politikologët, psikologët, etj.
Gjeneratat e ndryshme të shqiptarëve të vendeve të ndryshme gjithsesi reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj kësaj nisme. Gjeneratat më të reja mund të kenë qëndrime të tjera nga gjenerata më e vjetër. Prindërit shtatëdhjetë vjeçarë, fëmijët e tyre dhe nipërit e mbesat e gjyshërve gjithsesi e përjetojnë në forma të ndryshme domethënien e të pasurit të pasaportës së Shtetit të Shqipërisë dhe të shtetit ku jetojnë. Këto gjenerata a brezni kanë atë që quhet trashëgimi të vetëdijes kombëtare, por, kuptohet, të zhvilluar në nivele të ndryshme. Na të gjeneratës më të vjetër kemi trashëguar shumë herët vetëdijen për atë kush jemi dhe çfarë kombësie kemi? Paraardhësit e familjeve tona moti kanë dalë nga “Inkubatori” i kombit dhe ne kemi trashëguar prej tyre domethënien e të jetuarit me veten tonë. Kjo do të thotë nuk kemi pasur nevojë të kërkojmë dhe ta gjejmë identitetin tonë kombëtar në bazë të gjurmimit të pemës gjenealogjike; mbi shtresën e trashëguar sociale e kombëtare, që nga dita e parë e jetës, na kanë mësuar të flasim shqip sepse jemi shqiptarë.
Nevoja e krijimit të përkatësisë biologjike, sociale, psikologjike dhe morale te njeriu i pjekur dhe plotësimi i kësaj nevoje ka vlera praktike dhe teorike. Ne dhe pasardhësit, deshëm a nuk deshëm, shpesh i bëjmë pyetje vetes: cili është kuptimi i identitetit tonë? A vlen ta kesh këtë përkatësi sociale, kombëtare, psikologjike, morale dhe këtë pozicion ekonomik? Pasaporta e i identitetit të shtetit ku je spostuar me vite dhe me dekada dhe pasaporta e identitetit të shtetit të të parëve i ndihmon secilit ta njohë dhe ta dojë veten, familjen, farefisin dhe shtetin e prindërve, të gjyshërve dhe të stërgjyshërve. Disa studime empirike e vërtetojnë këtë pikëpamje. Prandaj, duke menduar këto relacione, unë shoh dobi nga një nismë e këtillë. Kjo do të thosha vlen edhe për shqiptarët e Kosovës, të cilët identiteti kombëtar i dokumentuar edhe me pasaporta të shtetit të Shqipërisë nuk do t`i pengojë fare të angazhohen për zhvillimin e shtetit të tyre.
Megjithëkëtë, çështja e kësaj nisme është e ndërlikuar për të tashmen, sidomos për të ardhmen. Kjo ka anën juridike: a nënkupton të pasurit e pasaportës së shtetit shqiptar vetëm për anëtarët e familjeve të shpërngulura nga shteti shqiptar prej nga ka lindur kjo iniciativë, apo kjo vlen edhe për të gjithë ata që kanë “gjak shqiptari” kudo që të gjenden? A nënkupton kjo e drejtë lehtësime në kthimin e nënshtetësisë së atyre që kanë qenë të detyruar të emigrojnë? A kanë për të pasur të drejtë vote për deputetët e Parlamentit të Shqipërisë ose për një pjesë të tyre ata që kanë pasaportë edhe të shtetit të Shqipërisë?, si do të reflektohet kjo e drejtë në kohezionin familjar e social? etj. Duke menduar pak për këto çështje mendoj se ka nevojë të diskutohen së paku komponentët kryesorë të kësaj të drejte në kushtet specifike të ndarjes së kombit dhe të nevojës që ndiejmë për një lidhje dhe marrëdhënie edhe më të ngushtë pavarësisht nga ndarjet politike e administrative.