Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë ka mbajtur konferencën ndërkombëtare shkencore “Profesionisti shëndetësor, pacienti dhe të drejtat e tyre”, ku u tha se pacienti duhet të jetë më aktiv dhe të marrë përgjegjësi, por fillimisht ai duhet të ndihmohet dhe të fuqizohet.
I pranishëm në ceremoninë e hapjes ishte ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli, i cili tha se konferenca të tilla duhet të organizohen më shumë që të bëhen edhe debate sociale.
Sipas tij, komunikimi i mirëfilltë mes pacientit dhe mjekut është i domosdoshëm për krijimin e politikave shëndetësore.
“Kjo është një temë që duhet ta flasim më shumë. Nuk jemi këtu ne dhe ata, nuk jemi mjekët dhe pacientët e procesit shëndetësor dhe ata, ne jemi të tërë një sistem shëndetësor dhe nuk kemi mënyrë tjetër për të përmirësuar këtë, përpos nëpërmjet dialogut social, nëpërmjet arritjes, t’i gjejmë ato se çka na mungojnë, ta dëgjojmë me vëmendje anën tjetër dhe vetëm atëherë kemi mundësi që të krijojmë edhe ne politika shëndetësore që intervenimi i tyre realisht të jetë për pacientin, po që ai investim realisht të kthehet në sistemin shëndetësor”, ka thënë Ismajli, raporton KP.
Kurse nikoqiri i kësaj konference, Muhamedali Kodra, tha se sëmundjet patologjike e kronike vazhdojnë të mbeten sfidë serioze në sektorin e shëndetësisë, si dhe kanë një kosto të lartë.
Ai po ashtu tha se personat e prekur nga këto sëmundje kanë nevojë më të madhe për shërbime dhe kontakt me profesionistë shëndetësor. Kodra sugjeroi që këta pacientë të fuqizohet përmes informimit dhe të jenë më shumë aktiv gjatë procesit të trajtimit shëndetësor.
Ndërkaq, doktor Berndard Soland nga SDC, tha se përmes kësaj konference ndërkombëtare po synojnë që të grumbullojnë praktika të ndryshme edhe nga vendet e tjera me qëllim të përmirësimit të gjendjes shëndetësore në Kosovë, në veçanti për të drejtat e pacientit.
Visare Mujko Nimani nga UNFPA, tha se kjo organizatë mbështetë dhe avokon për kujdes shëndetësor në përputhje me të drejtat e pacientëve pa diskriminime.
Ajo po ashtu tha se një synim i tyre është që të luftojnë dhe eliminojnë stigmatizimet dhe diskriminimet që u bëhen pacientëve në baza gjinore dhe atyre me sëmundje seksualisht të transmetueshme.
E pranishme ishte edhe Debra Stevenson nga AQH e cila tha se kjo organizatë ka organizuar tryeza të ndryshme diskutimi mes pacientëve dhe komuniteteve të tyre, në mënyrë që të ata të kenë mundësi të informohen dhe t’i shfaqin nevojat e tyre rreth asaj se çfarë shërbime iu nevojiten.
Disa nga temat që do të diskutohen gjatë paneleve në kuadër të kësaj konference, janë kujdesi shëndetësor me pacientin në qendër, të drejtat e pacientëve, të drejtat e profesionistëve shëndetësor, etika profesionale mjekësore, të drejtat për shëndet seksual dhe riprodhues, siguria e pacientëve etj.
Kjo konferencë po mbahet për herë të parë në Kosovë dhe ka për qëllim që të sjellë praktika më të mira ndërkombëtare të marrëdhënieve profesionist shëndetësor – pacient./Telegrafi/