Telegrafi

Të drejtat e konsumatorëve mbrohen pak

Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit, në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Konsumatorit, ka organizuar të martën tryezën me temën: “Siguria e Ushqimit”.

Zëvendësministri i MTI-së, Avni Kastrati, ka folur për rëndësinë e fushës së Mbrojtjes se Konsumatorit, duke pasur parasysh faktin se paraqet një nga prioritetet mbi të drejtat njerëzore humane dhe elementare për te gjithë njerëzit. “Mbrojtja e konsumatorit për çdo shtet, shoqëri të mirëfilltë, jo vetëm që është një temë dhe problematikë me rëndësi dhe me peshë të veçantë, por edhe komponentë bazike që ka ndikim të përhershëm në ecuritë dhe kahet e zhvillimit ekonomik e shoqëror. Prandaj, angazhimi i autoriteteve kompetente në avancimin e pozitës dhe të drejtave të konsumatorëve është obligim ligjor dhe institucional”, tha Kastrati.

Ai theksoi se mbrojtja e konsumatorit nënkupton një fushë të gjerë dhe gjithëpërfshirëse. “Vlen të përmendet se një prej mekanizmave kryesore për avancimin e konsumatorit është edhe informimi, edukimi dhe ngritja e vetëdijesimit të konsumatorëve përmes mekanizmave të ndryshëm. MTI në vazhdimësi angazhohet që të jetë afër konsumatorit”, tha Kastrati.

Zëvendësministri Kastrati po ashtu theksoi se MTI-ja është e zotuar që të vazhdojë të përmirësojë pozitën e konsumatorit përmes hartimit të legjislacionit dhe dokumenteve strategjike si dhe ngritjes së bashkëpunimit me të gjitha organet përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorit për një ambient sa më të përshtatshëm për konsumatorët.

“Edhe pse kemi një përmirësim të lehtë në fushën e mbrojtjes se konsumatorit, jemi plotësisht të vetëdijshëm që na mbetet ende shumë për të bërë në mënyrë që mbrojtja e konsumatorit të rregullohet sipas normave dhe standardeve Evropiane”, tha Kastrati, duke shtuar se Kosova duhet të arrij të jetë pjesë e tregut të përbashkët të Bashkësisë Evropiane, përmes krijimit të një strukture të veçantë që do të vërtetonte meritën e besimit nga konsumatorët në një treg të brendshëm, përmes rregullave të qarta dhe zbatim të ligjit ndaj secilit konsumator apo subjekti ekonomik kudo që ndodhet.

Nijazi Shala, Udhëheqës i Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit, duke iu referuar gjendjes në Kosovë nga spektri institucional publik, theksoi se deri tani ka pasur të arritura, sidomos nëse konsiderohet konsolidimi i një lloj rrjeti karshi Infrastrukturën e Cilësisë.

“Në ketë drejtim, vetëm në kuadër të institucionit të MTI-së ekzistojnë pesë komponent të Infrastrukturës së Cilësisë dhe Vlerësimit të Konformitetit, sikurse Standardizimi, Akreditimi, Metrologjia, Mbikëqyrja e Tregut, Mbrojtja e Konsumatorit”, tha Shala.

Ndërkaq, Libor Chlad, përfaqësues nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka folur për mbështetjen e projektit të lëvizjes së lirë të mallrave dhe mbrojtjes së konsumatorit në Kosovë. /Telegrafi/