Site icon Telegrafi

Të drejtat e garantuara me ligj, nuk zbatohen në praktikë!

Neni 1. i Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara me 10 dhjetor 1948 thotë se: “të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në të drejta. Ata kanë arsye dhe ndërgjegje dhe duhen të sillen ndaj njëri tjetrit me frymë vëllazërimi”. Edhe Neni 2. i kësaj Deklarate shprehimisht përcakton të drejtat e njeriut: “secili gëzon të gjitha të drejtat dhe liritë e parashtruara me këtë Deklaratë pa kurrfarë kufizimesh për sa i përket racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, besimit fetar, mendimit politik ose tjetër, origjinës kombëtare a shoqërore, pasurisë, lindjes ose tjetër…”. Pastaj Neni 3. njeh të drejtën që: “gjithkush ka të drejtë të jetojë, të jetë i lirë dhe të ketë sigurimin vetjak” për të vazhduar me Nenin 5. se: “asnjeri nuk duhet t’i nënshtrohet mundimit, trajtimit ose dënimit të egër, jonjerëzor ose poshtërues”. Neni 13. i kësaj Deklarate thotë se: “gjithkush ka të drejtën e lirisë së qarkullimit dhe banimit brenda kufijve të çdo shteti”. Edhe Neni 16. përcakton se: “burrat dhe gratë në moshë të pjekur kanë të drejtë të lidhin martesë dhe formojnë familje, pa kurrfarë kufizimi për sa i përket racës, shtetësisë ose besimit. Ata kanë të drejta të barabarta si në rastin e lidhjes së martesës si dhe në rast shkurorëzimi”.

Neni 21. përkatësisht pika 1. dhe 2. të këtij neni garantojnë të drejtën të marrjes pjesë në qeverisje të vendit dhe të hyjë në shërbimet publike të vendit të vet. Neni 22. njeh të drejtën e sigurimit shoqëror dhe realizimin të të drejtave ekonomike, sociale, kulturore të domosdoshme për dinjitetin e vet dhe për zhvillimin e lirë të personalitetit me ndihmën e shtetit…”. “Gjithkush ka të drejtë për punë, të zgjedh lirisht profesionin, të ketë kushte të favorshme pune dhe të jetë i mbrojtur nga papunësia dhe se gjithkush, pa kurrfarë diskriminimi, ka të drejtë që për punë të njëjtë të marrë rrogë të njëjtë”. Pastaj, Neni 25.. thotë se: “gjithkush ka të drejtë për një nivel jetese të mjaftueshëm i cili t’i përgjigjet shëndetit dhe jetës së përshtatshme si të atij personaliteti, ashtu edhe familjes së tij…”.

Neni 26. e njeh të drejtën që të gjithë të kenë të drejtën e shkollimit, pa asnjë diskriminim dhe i cili ka për qëllim zhvillimin e plotë të personalitetit të njeriut dhe forcimin e respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore që do të nxisë kuptimin, tolerancën dhe miqësinë midis të gjithë popujve, grupeve të racave dhe besimeve, si dhe veprimtarinë e Kombeve të Bashkuara për ruajtjen e paqes”. Dhe, në fund, Neni 27. përcakton se: “gjithkush ka të drejtë të marrë pjesë lirisht në jetën kulturore të bashkësisë, të gëzojë artet dhe të përfitojë nga përparimi shkencor dhe dobitë e tij”.

Të gjitha nenet e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut si dhe dokumentet tjera relevante për të drejtat e njeriut janë futur në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Përjashtim bëjnë Konventat evropiane për të Drejtat Ekonomike dhe Sociale të cilat janë përjashtuar të qenit pjesë e Kushtetutës. I citova për fillim, sipas një procedure burokratike disa nene të rëndësishme të Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut për të cilat shtetet, në mesin e tyre edhe Republika e Kosovës (përmes aktit më të lartë juridik të vendit, Kushtetutës) ka marrë përgjegjësi se do t’i zbatojnë në jetën e përditshme për të mirën e të gjithë qytetarëve të saj pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, racore, besimit fetar, moshës dhe statusit shëndetësorë.

Kjo Deklaratë e KB-së në fakt është një Kushtetutë Botërore apo globale sa i përket rregullimit të çështjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Mosrespektimi i saj nënkupton se abuzohet me të drejtat e njeriut. Kjo ndodhë edhe në vendet që kanë një demokraci stabile, të përparuar dhe traditë të respektimit të këtyre të drejtave e lëre më në shtetet e sapo formuara e në tranzicion siç është Kosova e cila vazhdimisht është ballafaquar me shkeljen e të drejtave elementare të qytetarëve të saj. As Kosova nuk bënë përjashtim dhe i shkel të drejtat e qytetarëve të saj në përgjithësi dhe personave më aftësi të kufizuar në veçanti! Kjo në fakt ishte vetëm një hyrje për debat se sa respektohen të drejtat e personave me aftësi të kufizuar në Kosovë dhe ku qëndrojnë institucionet e Republikës së Kosovë përballë këtij diskriminimi që u bëhet personave me aftësi të kufiziuar?!

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë gjithmonë është deklaruar se ndaj personave me aftësi të kufizuar shkelen të drejtat e njeriut, andaj ka kërkuar respektimin e këtyre të drejtave dhe përmbushjen e detyrimeve që dalin nga kjo Deklaratë, dokumentet e tjera të rëndësishme ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës! Sipas KMDLNj-së, të drejtat e njeriut për persona me aftësi të kufizuar shkelen në mënyrë të vazhdueshme. Nëse e bëjmë një analizë qoftë edhe sipërfaqësore atëherë do ta shohim se të gjitha nenet e cituara më lartë të Deklaratës Universale shkelen në raport me statusin e personave me aftësi të kufizuar. Të shkojmë me radhë:

Liria e lëvizjes:

Personat me aftësi të kufizuar (PAK) e kanë lirinë e lëvizjes të kufizuar dhe në jo pak raste edhe të pamundësuar. Kjo dukuri vërehet sidomos në ndërtesat publike andaj kanë probleme të konsiderueshme të sigurojnë qasje të papengueshme. Në asnjë rrugë të Kosovës nuk ka shteg (pjesë e rrugës) të veçantë në të cilin PAK do të lëviznin lirisht dhe ku nuk do të rrezikoheshin nga automjetet. Gjithashtu, edhe në vendkalimet nuk ekzistojnë semaforë që do të rregullonin kalimin e papengueshëm dhe të sigurt të rrugës për PAK. Madje, shumica e semaforëve janë jashtë përdorimit kështu që paraqesin vështirësi shtesë për PAK.

As trafiku urban e as ai ndërurban nuk ka siguruar qasje për PAK andaj kontribuon në kufizimin e lirisë së lëvizjes. Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ka bërë një përparim të dukshëm sa i përket sigurimit të qasjes për PAK. Përkundër legjislacionit të miratuar dhe përmirësimit të infrastrukturës në Republikën e Kosovës ende nuk kemi një ambient që do të siguronte lëvizje të lirë për PAK prandaj Kosova është mjaft larg të përmbushjes së standardeve për këtë kategori të qytetarëve të Kosovës. Aq më parë që liria e lëvizjes është parakusht themelor për realizimin e të drejtave tjera për PAK siç janë: shkollimi, punësimi, mbrojtja shëndetësore etj dhe në këtë mënyrë shkaktohen pengesa të patejkalueshme për integrimin në shoqëri të PAK.

E drejta për punë:

Ndonëse e drejta për punë është e drejtë elementare e njeriut duket se kjo nuk vlen ose fare pak zbatohet në praktikë kur janë në pyetje personat me aftësi të kufizuar. Rrallë herë dhe në shumë pak vende mund të hasim ku PAK punojnë! Zakonisht, ata punësohen në një numër simbolik dhe punësimi i tyre ndërlidhet më shumë me efektet dhe përfitimet politike të subjekteve në pushtet se sa që është shprehje e gatishmërisë së institucioneve t’i përmbushin detyrimet e saj! Mungojnë politikat qeveritare që do të krijonin vende të reja të punës për PAK. Edhe në sektorin privat numri i të punësuarve nga radhët e PAK është i vogël. Numri i PAK në vendimmarrje është jashtëzakonisht i vogël! Prandaj, ky përjashtim nga vendimmarrja prodhon efekte negative për PAK sepse nuk ka kush t’i përfaqësojë apo mbrojë interesat e tyre! Në bordet e ndërmarrjeve apo kompanive të mëdha thuaja se nuk ka anëtarë nga radhët e PAK.
KMDLNj ka përkrahur kandidatët nga radhët e PAK për anëtarë të Bordit të RTK-së ( nga radhët e pakicave) mirëpo, pa ndonjë arsye bindëse ky kandidat nuk ka kaluar! Edhe në shërbimet publike ka pak të punësuar. Me një fjalë, për fajin e shoqërisë, PAK në Kosovë janë shndërruar në kategori sociale e që paraqet një barrë shtesë edhe për PAK si dhe për familjet e tyre! Mund të konsiderohet edhe paradoks i llojit të vet por PAK, sa i përket realizimit të së drejtës për punë më mirë janë trajtuar më parë se tani! Pikërisht, mungesa e lirisë së lëvizjes apo moskrijimi i kushteve për qasje të papengueshme krijon probleme edhe në fushën e punësimit!

Mbrojtja shëndetësore:

PAK në Kosovë nuk kanë mbrojtje efektive shëndetësore. Është nonsens i llojit të vet mirëpo personat me aftësi të kufizuar nuk kanë as sigurime shëndetësore! As ata e as familjet e tyre! Në rast se kanë nevojë për ndonjë ndihmë shtesë shëndetësore ata kryesisht mvaren nga familjet e tyre të cilat, në të shumtën e e rasteve janë në asistencë sociale. Republika e Kosovës, me një shëndetësi publike të pakonsoliduar ku mungojnë edhe medikamentet më të domosdoshme për shërim dhe të cilat pacientët duhet t’i blejnë me paratë e tyre, as për së afërmi nuk është në gjendje t’i përmbush nevojat dhe kërkesat për trajtim shëndetësorë për PAK. Vlen të theksohet gjithashtu, se në jo pak raste mungon profili i ekspertëve shëndetësorë që me sukses do të trajtonte PAK që kanë nevojë për shërim.

Në mungesë të mjeteve financiare, shëndetësia publike nuk është në gjendje të sigurojë as mjetet ndihmëse ( ortopedike ) etj., që do të ndikonin në përmirësimin e statusit së tyre shëndetësorë. Deri më tani, këto nevoja janë përmbushur kryesisht nga donatorët e huaj. Problem të veçantë paraqesin rastet kur PAK duhet të trajtohen për shërim jashtë vendit. Për shkak të buxhetit të kufizuar dhe ngatërrimit të prioriteteve, më së shumti e pësojnë PAK të cilët nuk kanë mundësi, në shumë raste të trajtohen jashtë vendit. KMDLNj nuk ka vërejtur se PAK gëzojnë ndonjë përfitim material nëse kanë nevojë të qëndrojnë në ndonjë banjë termale apo qendër për rehabilitim. Gjithashtu, KMDLNj nuk ka vërejtur se ekzistojnë ekipe shëndetësore mobile vullnetare që i vizitojnë PAK dhe u dalin në ndihmë në raste kur ata kanë nevojë!

Shkollimi:

PAK edhe në këtë segment të drejtave të njeriut janë të diskriminuar. Deri më tani nuk janë siguruar kushtet që të gjithë personat me aftësi të kufizuar të përfshihen në shkollim, nga edukimi fillestar deri te ai universitar! Numri i PAK i cili i vijon mësimet në të gjitha nivelet e shkollimit është i vogël. Në Kosovë mungojnë institucione arsimore të profesionalizuara për shkollimin e PAK si dhe mungon kuadri profesional për aftësimin e tyre përmes trajnimeve, kurseve kështu që ua ngushtojnë hapësirën që, përmes aftësimit të tyre të gjejnë më lehtë një vend pune. Thuaja asnjë institucion arsimor publik nuk e ka siguruar transportin për nxënës apo studentë nga radhët e PAK dhe në këtë mënyrë krijojnë pengesa, në shumë raste të papërballueshme andaj ndikojnë që numri i personave me aftësi të kufizuar që nuk i vijojnë mësimet të jetë i madh.

Jeta kulturore:

Jeta kulturore e PAK zhvillohet kryesisht në ambientin ku jetojnë apo shoqërohen. Nuk organizohet ndonjë aktivitet që është në përputhje me nevojat , kërkesat apo mundësitë e PAK. Ka pak raste kur artistë të njohur i vizitojnë PAKapo organizojnë aktivitete kulturore për ta. Së voni vërehet një pjesëmarrje më e madhe e PAK në aktivitetet sportive ku ata janë protagonistë kryesorë. E drejta për informim të drejtë dhe të papengueshëm për PAK gjithashtu nuk është e siguruar në tërësi dhe mbetet punë për të bërë në këtë drejtim.

Të gjitha këto të drejta që u shkelen PAK (më lart i përmenda vetëm disa segmente të një tërësie shkeljesh së të drejtave të njeriut) ndikojnë pa asnjë dyshim në kualitetin e jetës së PAK, mirëqenien e tyre dhe perspektivën e tyre në shoqërinë kosovare. Këto janë parakushte për integrimin e tyre e që aktualisht nuk janë shumë të favorshme për ta dhe përgjegjësia bie, në radhë të parë mbi Institucionet e Republikës së Kosovës dhe qytetarët e saj që, me mosangazhimin e tyre ndikojnë që kjo gjendje të mos ndryshojë me dinamikën dhe kualitetin e dëshiruar!

Si përfundim:

Personat me aftësi të kufizuar nuk kanë nevojë për mëshirën e shoqërisë e cila mbështetet ekskluzivisht në paragjykime por kanë nevojë për përkrahje të institucioneve të Kosovës të cilat duhet t’i përmbushin detyrimet kushtetuese ndaj të gjithë qytetarëve të Kosovës që të mos diskriminohen siç po veprohet me PAK. Ndryshimi i vetëdijes sonë dhe ndërgjegjësimi për eliminimin e diskriminimit do të ishte ndihma më e madhe për PAK. Sepse, krejt në fund, personat me aftësi të kufizuar kanë nevojë që t’u sigurohet një hapësirë ku do t’i shpalosin aftësitë e tyre dhe ku do të kontribuojnë për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, si pjesë aktive e saj, pa iu nënshtruar diskriminimit dhe paragjykimit!

(Autori është drejtor Ekzekutiv i KMDLNJ-së)
 

Exit mobile version