Kandidatët për kryetar të komunës së Drenasit janë shprehur të bindur në fitoren e tyre të dielën, kur edhe do të zhvillohet raundi dytë i zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kreun e kësaj komune.
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ramiz Lladrovci, i cili në raundin e parë ka marrë 45 për qind të votave dhe ai Nismës për Kosovën, Isa Xhemajlaj, i cili ka marrë 26 për qind të votave, kanë thënë për gazetën “Epoka e re” se ndryshimi dhe mirëqenia vijnë vetëm me ta.
Lladrovci ka thënë se ndryshimet në Kosovë dhe Drenas mund t’i sjellë vetëm PDK-ja, ndërsa Xhemajlaj ka thënë se me fitoren e tij do të ndalet keqqeverisja në këtë komunë.
“Ashtu si çdoherë, edhe të dielën do të jemi fitues të padiskutueshëm, sepse vizioni, përkushtimi dhe angazhimi ynë për shtetin, mirëqenien dhe zhvillimin ekonomik, është i pakrahasueshëm me oponencën tonë. Përfaqësoj traditën më të mirë të përgjegjësisë institucionale në shërbim të qytetarit, andaj pres fitore të merituar”, ka thënë Lladrovci për gazetën “Epoka e re”.
Ndërkaq kandidati i Nismës për kryetar të Drenasit, Isa Xhemajlaj, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se qytetarët e kësaj komune janë zhgënjyer nga premtimet boshe të PDK-së dhe pret që ata të jenë pro ndryshimit të qeverisjes në këtë komunë.
“Gabimet që PDK-ja i ka bërë me premtime dhe mashtrime, kanë ndikuar që elektorati i PDK-së ta humbë besimin në këtë parti. Ai elektorat po shikon më shumë ta zgjedhë një kandidat që është shumë më serioz. Kjo u vërtetua në raundin e parë, kur 55 % të votuesve të kësaj komune votuan pro ndryshimeve dhe kundër vazhdimit të qeverisjes së deritashme. Nëse i referohemi kësaj dhe bisedave që i bëj me qytetarët e Drenasit, ata janë të interesuar që në këtë komunë të ndodhë ndryshimi”, ka thënë Xhemajlaj, i cili ka premtuar se me fitoren e tij nuk do të ndodhë më keqpërdorimi i parasë publike në këtë komunë.