Bashkëpunimi ndërmjet dy ekipeve ka filluar prej kohësh, por tani është duke u zhvilluar dhe në këtë kontekst, skuadra e Partizanit të Tiranës do të arrijë në kryeqendrën e Kosovës për të zhvilluar një ndeshje miqësore me ekipin kampion dhe fitues të Kupës, Prishtinën.
Lajmi është bërë i ditur nga drejtori i skuadrës së Partizanit të Tiranës, Eduard Prodani. “FC Prishtina – KF Partizani do të zhvillojnë një ndeshje miqësore ditën e diele, datë 11 Gusht 2013, ora 18:00, në Prishtinë”, tha Prodani për Sporti1.
Madje ai ka zbuluar se në këtë ndeshje përforcimi i fundit i këtij ekipit nga radhët e prishtinase, Mentor Mazrekaj do të aktivizohet për të dy ekipet.
“Mazrekaj do të aktivizohet një pjesë me Prishtinën dhe pjesën tjetër me Partizanin”, tha ai. Mazrekaj është huazuar për gjashtë muaj te skuadra nga Tirana.
Prej Prishtinës në drejtim të kësaj skuadre kanë shkuar edhe Besnik Krasniqi, Labinot Ibrahim dhe Behar Maliqi. /Telegrafi/