Me këtë rast, ministri i Sportit dhe Kulturës së Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë sot se Majlindës do t’i organizohet një pritje madhështore , duke filluar që në aeroportin “Adem Jashari” dhe në kryeqytet. Krasniqi sot nuk ka dhënë detaje për mënyrën e organizimit të Majlindës, por ka ftuar qytetarët që të dalin në këtë “festë’ të organizuar për sportiten më të mirë të Kosovës, pasi që, siç tha ai, “ajo e do dhe e meriton një pritje madhështore”.
Menjëherë pas fitores në finale, Majlinda Kelmendi ka festuar me trajnerin e saj, Driton Kuka, njeriun kryesor për sukseset e saj në arenën ndërkombëtare. Majlinda Kelmendi drejt medaljes së artë i ka zhvilluar pesë duele. Pas triumfit, në një bisedë për KTV-në Kelmendi ka thënë se ndjehet shumë mirë. “Kanë qenë emocione që nuk kam mundur t’i kontrolloj, nuk e di se si kam reaguar, kurrë nuk jam sjellë kështu”, tha Kelmendi.
Ajo theksoi se pas periudhës së vështirë pas Londrës, e ka merituar këtë fitore. Kampionia e botës tha se tani po garon me më shumë vetëbesim. “Po luftoj shumë më tepër, më e qetë, nuk po mendoj se çka do të thonë gazetarët dhe të tjerët, thjesht po dua të kaloj këtë formë të mirë që kam”, deklaroi kampionja e botës. /Koha/Telegrafi/