Të dielën do të luhen të gjitha ndeshjet e javës së 11-të në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut në futboll me fillim nga ora 13.00, njofton Telegrafi.
Padyshim se tani më jemi mësuar të kemi ndeshje derbi të ekipeve shqiptare dhe një e tillë këtë të diel do të luhet në Tetovë, ku do të takohen ish-kampioni Shkëndija dhe kampioni aktual Struga. Kuptohet se dy ekipet janë në formë relativisht të ndryshme, me Shkëndijën që në fushë nikoqire po luan shumë mirë dhe ka rezultate të mira ku në katër ndeshjet e fundit ka po aq fitore, ndërsa nuk ka pranuar asnjë gol. Struga në katër ndeshjet e fundit si mysafire ka marrë fitore vetëm ndaj Vardarit, ndërsa ka dy barazime dhe një humbje.
Skuadra e Shkupit pas eliminimit nga gara e Kupës, patjetër e ka të fokusohet në kampionat, edhe ashku skuadra nga Çairi është në mesin e tabelës dhe do ti duhen pikë të plota në duelin e të dielës ndaj Tikveshit nëse mendon që të ngjitet lartë në tabelë.
Besa që kishte një seri të mirë të rezultate do të provojë këtë ta bëjë kundër Sileksit, që në javët e fundit ka grumbulluar pikë që e kanë ngjitur në pozitën e tretë dhe tani është me ambicie më të mëdha për të bërë më shumë në këtë sezon.
Voska Sport gjithashtu është eliminuar në mesjavë nga gara e Kupës, andaj tani dot përqendrohet që të merr pikë të plota në duelin ndaj Pelisterit për ikje nga zona e rrezikut për rënie në kategori më të ulët.
Gostivari me trajnerin e ri, brazilianin Marcio Nobre mori fitore dhe kualifikim në çerekfinalen e Kupës së Maqedonisë, ndërsa testi i parë për brazilianin në kampionat do të jetë dueli ndaj AP Breras nga Strumica. /Telegrafi /
Dyshet e javës së 11-të – (E diel ora 13:00)
Shkëndija – Struga TL, Shkupi – Tikveshi, Sileksi – Besa, Voska – Pelisteri, Gostivari – Brera dhe Vardari – Rabotniçki.