Anglia Veriore, e cila u godit më keq nga vala e parë e coronavirusit, gjithashtu vuajti më shumë se Jugu gjatë shpërthimit të Gripit Spanjoll më shumë se 100 vjet më parë, sipas studimit të ri.
Sipas mediave britanike, përcjell Telegrafi, një studim i fundit nga Aleanca e Shkencave të Shëndetit të Veriut (NHSA) zbuloi se zona e Veriut vuante mbi 12 më shumë vdekje të lidhura me COVID-19 për 100,000 banorë, sesa pjesa tjetër e Anglisë.
Dhe tani një nga autorët e këtij studimi ka analizuar shpërthimin e Gripit Spanjoll në vitin 1918, i cili vrau 50-100 milionë njerëz në të gjithë botën, për çdo “pabarazi shëndetësore”.
Clare Bambra, profesoreshë e shëndetit publik në Universitetin Newcastle, u bashkua me akademikë të tjerë – përfshirë Dr. Paul Norman nga Universiteti Leeds – për të studiuar ngjashmëritë se si dy pandemitë krejt të ndryshme ndikuan në rajonet e Anglisë.
Ajo tha: “Ne shikuam të dhënat nga pandemia e Gripit Spanjoll të vitit 1918 dhe i hartuam ato për të parë se çfarë ndodhi në zona të ndryshme lokale në atë kohë”.
“Ne zbuluam se, ngjashëm me sot me COVID-19, kishte vdekshmëri shumë më të lartë nga Gripi spanjoll në zonat veriore të Anglisë dhe Midlands”.
“Shkalla më e ulët ishte në vendet si Surrey – rreth 200 vdekje për 100,000 në 1918 – dhe nivelet më të larta ishin në vende si Hebburn dhe Jarrow në Veri-Lindje, ku ishin pothuajse 1,200 vdekje për 100,000 banorë”.
“Pra, gjashtë herë më e lartë”.
Të dhënat u morën nga raporti i vitit 1920 në shkallën e vdekshmërisë së pandemisë së Gripit Spanjoll të përpiluar nga Sekretari i Përgjithshëm – ekuivalenti i shefit të sotëm të Zyrës për Statistikat Kombëtare.
Duke shkruar në atë kohë, Sir Bernard Mallet tha: “Pjesët veriore të vendit vuajtën më shumë, në tërësi, sesa pjesa jugore”.
Dhe profesoresha Bambra tha se e njëjta gjë ishte e vërtetë një shekull më vonë, pavarësisht përmirësimeve të mëdha në sistemin shëndetësor. /Telegrafi/