Ekspertë serbë shpresojnë të vërtetojnë se uraniumi i varfëruar i përdorur në bombardimet e NATO-s në vitin 1999 helmoi njerëz e kështu të ngrenë një sërë padish. Por, analistët ligjorë thonë se ata kanë shumë pak gjasa të dalin me sukses.
Një ekip i përbërë nga avokatë dhe mjekë të huaj dhe serbë planifikojnë të përgatisin padi kundër vendeve të NATO-s për përdorim të uraniumit të varfëruar gjatë bombardimeve të Jugosllavisë të vitit 1999, por ekspertët ligjorë dyshojnë nëse çështjet do të kenë sukses, raportoi të dielën televizioni publik serb RTS.
Avokatët dhe mjekët do të përpiqen të lidhin një rritje të sëmundjeve të rënda me përdorimin e uraniumit të varfëruar në bombardime, në mënyrë që ata të mund të ngrenë padi kundër 19 vendeve anëtare të NATO-s. Ata besojnë se mund ta bëjnë këtë brenda dy vjetësh.
“Statistikat aktuale tregojnë një epidemi të madhe sëmundjesh malinje dhe anomalish tek të sapolindurit”, tha për RTS, Radomir Kovaceviq, anëtar i ekipit dhe toksikolog në Institutin e Mjekësisë Profesionale dhe Mbrojtjes Radiologjike.
NATO nisi sulmet ajrore në Serbi më 24 mars 1999, pasi presidenti jugosllav, Sllobodan Millosheviq, nuk pranoi të nënshkruante një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund sulmit të forcave të tij ndaj shqiptarë të Kosovës.
Në kohën që Millosheviqi 78 ditë më vonë, numri i vdekjeve të civilëve nga fushata bombarduese u përcaktua nga Human Rights Watch të ishte rreth 500.
Përdorimi i armëve me uranium të varfëruar që shkakton kancer besohet gjithashtu se ka vrarë dhjetëra ushtarë italianë gjatë misioneve në Kosovë.
Milan Antonijeviq, nga Komiteti i Avokatëve për të Drejtat e Njeriut, tha për RTS se ai mendon se paditë kanë shumë pak gjasa për sukses.
“Nga njëra anë po flasim për pamundësinë e përcaktimit të fajit të drejtpërdrejtë dhe nga ana tjetër ne besojmë se situata do të jetë shumë e ngjashme me atë në Gjermani”, shpjegoi Antonijeviq.
Në një sulm ajror të NATO-s në selinë e RTS-së në Beograd më 23 prill 1999, 16 vetë u vranë, por RTS raportoi se gjykatat në Gjermani dhe Itali kanë deklaruar se nuk mund të dëgjojnë raste që lidhen me këto vdekje dhe viktima të tjera të bombardimeve të NATO-s.
Gjykata e Hagës nisi gjithashtu një hetim, por më vonë vendoi të hiqte dorë nga çështja.
“Eksperienca thotë se ne duhet të luftojmë duke përdorur mjete politike në vend të mjeteve ligjore. Kështu që, pas gjithë këtyre viteve, anëtarët e NATO-s ta ndihmojnë vendin tonë dhe të përmirësojnë disa nga pasojat me çminimin e minave të tokës, me ndihmë financiare dhe duke investuar”, shtoi Antonijeviq.
Avokati Toma Fila, i cili mbrojti Millosheviqin në Gjykatën e Hagës, tha për RTS-së se shteti duhet të krijojë një komision për të dokumentuar të gjitha pasojat e bombardimeve të NATO-s.
Komisioni duhet të vlerësojë “gjithçka që na bëri NATO-ja, ta përshkruajë atë, ta dokumentojë me fotografi dhe histori të sëmundjeve të shkaktuara nga bombardimi dhe më pas të presë çastin e duhur për ta përdorur atë”, tha Fila. /BIRN/reporter.al/