Telegrafi

Të dënuarit në rastin “Bllaca 2”, ende të lirë

Ka 64 ditë që Policia po kërkon Shpresim Ukën, Driton Hajdarin dhe Bekim Sylën të dënuar për vrasjen e Ibush Kllokoqit dhe tentim-vrasjen e Adem Salihajt.

Që të tre janë të dënuar me gjithsej 34 vjet burgim, por vazhdojnë të jenë të lirë, transmeton KTV.

Urdhër arresti i gjykatës vazhdon të jetë në fuqi, e Policia thotë se në baza ditore po angazhohet për gjetjen e të dënuarve, por deri tash pa sukses.

I dënuari maksimal në këtë rast, Shpresim Uka që nga atëherë nuk ka kontaktuar as me avokaten e tij.
Ajo beson në pafajësinë e klientit të saj, për të cilin thotë se pavarësisht mos kontaktit, do të bëjë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Por, mbrojtja, me gjithë skadimin e të gjitha afateve, nuk e ka pranuar aktgjykimin e shkruar. Kjo premtohet se do të bëhet brenda pak ditësh nga EULEX-i. /Telegrafi/