Ministri i Financave, Hekuran Murati, raportoi në Komisionin Parlamentar për Buxhet në lidhje me procesin e kompensimit të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet.
Me këtë rast ai ka thënë se dëmet e vërshimeve të shtatorit të 2022-ës dhe ato të këtij fillimviti kapin vlerën e 34.8 milionë eurove.
Sipas ministrit Murati, arsyeja se pse ende nuk janë kompensuar të dëmtuarit, është se nuk kanë pranuar me kohë listat e detajuara të tyre.
“Si tërësi, vlerësimi i dëmeve që përfshin shtatorin 2022 dhe dëmet që kanë ndodhur në fillim të këtij viti është 34.8 milionë euro. Janë 1 mijë e 256 familje që kanë pësuar dëm dhe 214 biznese. Fillimisht është pranuar një raport, i cili ka qenë i përmbledhur, por pa listuar përfituesit individualë”.
“Nuk ka pasur detajizim apo zbërthim të të dëmtuarve nga vërshimet. Si qeveri kemi kërkuar nga komisioni që të kërkojë lista të detajuara dhe kjo gjë është bërë. Megjithatë për disa komuna ka bërë ngecje. Për Mitrovicë, Skenderaj dhe Klinë, raportin e kemi pranuar tek më 18 shtator. Arsyeja e vonesave ka qenë, sepse kemi dashur të kemi informata të plota. Tani që i kemi, besoj që në një nga mbledhjet e radhës do ta trajtojmë si temë të ditës”, ka shtuar ai.