Dy efektivë policie janë arrestuar nga agjentët e AMP-së, pasi janë konstatuar shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor nga ana e tyre.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për rajonin Vlorë-Gjirokastër ka vënë në pranga punonjësin e policisë me iniciale A. K, me detyrë në Forcën e Posaçme Shqiponja të Komisariatit të Sarandës, pasi ka shkaktuar aksident teksa drejtonte mjetin në gjendje të dehur.
“Arrestimi i tij u krye pasi gjatë drejtimit të mjetit tip “Mercedes Benz” në qytetin e Sarandës, është përplasur me mjetin tip “Volksvagen”, duke shkaktuar dëme materiale. Nga verifikimi me testin matës të alkoolit rezultoi pozitiv”, informon AMP.
Ndërkohë në Has, nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për rajonet Kukës-Dibër, është vënë në pranga efektivi me iniciale H. D., 53 vjeç, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme.
AMP bën me dije se duke drejtuar automjetin e tij tip “Volksvagen” në rrugën ”Demokracia” në qytetin e Krumës, ai ka përplasur dy këmbësoret me iniciale M. G, 43 vjeçe dhe Z. G., 78 vjeçe, të cilat janë duke marrë ndihmë mjekësore. /Telegrafi/