Frika ka përfshirë banorët e rrethit Germencik të vendosur në Aydın, Turqi, ndërsa çarje të thella vazhdojnë të formohen në tokë, që shtrihen për një kilometër gjatësi – me thellësi që arrijnë 2 metra.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, plasaritjet origjinale u shfaqën 11 ditë më parë në lagjet Hıdırbeyli, Mursallı dhe Ömerbeyli të Germencik pas një shiu gjatë fundjavës.
Çarje të ngjashme janë zbuluar edhe në lagjen Alangüllü së fundmi.
Kryetari i Shoqatës së Natyrës dhe Mjedisit Germencik, Halil Çetinkaya tha: “Kanë filluar të krijohen çarje në të gjithë Germencikun. Kemi frikë se çarjet do të arrijnë në qendër të rrethit”.
I shqetësuar nga fakti se rreziku mund të jetë në rritje, Çetinkaya u shpreh se kanë frikë se çarjet mund të kthehen në gropa të mëdha.
Duke pretenduar se çarjet u shkaktuan nga aktivitetet e termocentraleve gjeotermale në zonë dhe duke shtuar se vaditja e egër bujqësore gjithashtu kishte një rol për të luajtur, Çetinkaya tha: “Ne marrim raporte nga kudo. Por fatkeqësisht nuk po bëhet asnjë studim. Kemi 10 ditë që merremi me çarjet në rreth. Këtej e tutje do të ketë pasoja të pashmangshme”. /Telegrafi/