Sot në ndërtesën e Qeverisë, ish- Pallati i Rilindjes, për nder të shënimit të 20-vjetorit të themelimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, është hapur një ekspozitë me punimet artistike dhe artizanale të të burgosurve.
Paraprakisht ekspozita ishte hapur në Shtëpinë e Kulturës “Adem Jashari” në Istog, në Qendrën e Kulturës “Tahir Sinani” në Lipjan, për të përfunduar në Prishtinë.
Në këto ekspozita u prezantuan punimet në të cilat personat e burgosur shprehin botën e tyre të brendshme apo edhe pendimin në lidhje me atë që ka ndodhur. Punimet paraqesin qartë se ata mendojnë dhe sillen ndryshe, si dhe se janë të përgatitur për riintegrim.
Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar që të luajë rolin e vet për t’i ndihmuar të burgosurit që të ndryshojnë pozitivisht dhe të përgatiten për riintegrim në shoqëri, si individë të përgjegjshëm dhe të dobishëm për shoqërinë dhe rrethin ku do të jetojnë.