Të dënuarit nëpër burgjet e Kosovës ankohen për trajtim jo të duhur dhe jo korrekt nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.
Këto ankesa më të shprehura kanë qenë në burgun e Dubravës, në burgun për Siguri të Lartë në Gërdoc si dhe në Lipjan.
Kështu u tha në tryezën e organizuar nga KMDLNJ gjatë publikimit të Raportit për monitorimin e qendrave të ndalimit, qendrave të paraburgimit dhe për qendrat korrektuese për vitin 2016.
Ndër të gjeturat e këtij raporti janë kontrabanda, korrupsioni, diskriminimi, ndikimi politik dhe nepotizmi nëpër burgje.
Gjithashtu në bazë të këtij raporti kanë qenë 11 raste të tentim vrasjeve.
Ankesa sa i përket trajtimit jo të duhur ndaj të burgosurve ka pasur në burgun e Dubravës dhe në burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdoc.
Problematike mbeten edhe pozitat udhëheqëse nëpër Qendra Korrektuese me ushtrues detyre.
Si e gjetur në këtë raport është edhe ndikimi politik në Qendrat Korrektuese.
Përfaqësuesja nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut(KMDLNj), Valentina Demolli tha se të gjeturat kryesore sa i përket këtij monitorimi një vjeçar në të gjitha Qendrat Korrektuese dhe të paraburgimit në Kosovë kanë të bëjnë me ankesat e njerëzve të privuar për trajtim jo të duhur dhe jo korrekt.
Në këtë raport thuhet se Burgu i Sigurisë së Lartë pavarësisht se është një objekt i ri i lëshuar së voni në funksion ka disa probleme sa i përket dyshemeve si dhe për çarjet nëpër korridoret e këtij objekti. Në kuzhinën e këtij, burgu ka lagështi dhe myk. Po ashtu kushte të mira fizike nuk ofron as objekti i burgut të Dubravës.
Sipas raportit, infrastruktura aktuale nuk është më e mira e mundshme, sidomos nuk ka infrastrukturë adekuate për personat të cilët janë me aftësi të kufizuar. Këta persona në përgjithësi janë të vendosur në Qendrën Korrektuese në Dubravë.
Dhe kjo qendër nuk i plotëson kushtet fizike për trajtimin e këtyre personave ose për vendosjen e këtyre personave me aftësi të kufizuara. Po ashtu Shërbimi Korrektues ka edhe një mungesë e cila ka të bëjë me trajtimin profesional për personat me aftësi mendore.
Në raportin monitorues të KMDLNj-së janë evidentuar 59 rekomandime për institucionet përkatëse lidhur me burgjet e Kosovës. /Telegrafi/