Sylë Hoxha, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka thënë se sulmi ndaj Konsullatës së Turqisë në Prizren është bërë nga persona të cilët “nga një folklorizëm e bënë këtë sulm”. Ai njofton se ata kanë pranuar veprën.
“Sipas informatave që kam, ata e kanë pranuar aktin dhe të njëjtëve u është caktuar ndalimi policor”, tha Hoxha në Klan Kosova. “Megjithatë, ne do të vazhdojmë hetimet dhe të shohim se çfarë të kaluare kanë. Ata nesër do të dalin para gjyqtarit”.
I ftuar në Info Magazine, Hoxha ka thënë se sulmi nuk besohet që ka ndodhur nga ndonjë parti politike.
“Deri tash nuk besohet se grupi ka qenë i organizuar. Personat janë të rinj. Sipas hetimeve të para, kemi të bëjmë me persona që nga një folklorizëm kanë mundur ta bëjnë këtë akt. Kanë qenë të frymëzuar nga disa këngë, natën duke punuar në një lokal, dhe nga një euforia e kanë kryer këtë akt”, tha ai.