Telegrafi

Të ardhurat dhe shpenzimet e familjeve në Shqipëri në rënie që nga viti 2018

Indeksi i të Ardhurave dhe Shpenzimeve i familjeve ka ardhur në një trend rënës që nga 6-mujori i dytë i vitit 2018, sipas indeksit të ndërtuar nga Banka e Shqipërisë mbi bazën e anketës në 1,300 familjeve për gjendjen e tyre financiare që zhvillohet me bazë gjashtë mujore.

Ky indeks që ka si bazë krahasuese vitin 2010 ka pësuar një rritje të moderuar deri në vitin 2013, ndërsa në 2014 u vërejt një ulje e kapaciteteve financiare të familjeve.

Pas vitit 2014 deri në vitin 2018, Indeksi i Gjendjes Financiare të familjeve shqiptare shënoi rritje të qëndrueshme deri në gjysmën e dytë e dytë të vitit 2018, teksa më pas ka nisur sërish ulja.

Balancat tregojnë se të ardhurat përgjithësisht gjatë kësaj periudhe ishin më të larta se shpenzimet dhe përfaqësojnë ecurinë e kursimeve të popullatës.

Të dy indekset rezultojnë në rënie në terma vjetorë në 2019-në dhe përmirësim të lehtë në 2020-n, por duke mbetur poshtë nivelit të 2018-së.

Kjo ecuri e të ardhurave dhe shpenzimeve të familjeve vlerësohet të jetë reflektim i fillimit të materializimit të rënies ekonomike në vend gjatë këtij viti si pasojë e dy goditjeve të forta, tërmetit të nëntorit të vitit të kaluar dhe pandemisë COVID-19.

Në shpërndarjen e familjeve sipas nivelit të shpenzimeve të domosdoshme të jetesës rreth 53 për qind e tyre deklarojnë shpenzime mujore në nivelin 20 mijë lekë deri 50 mijë lekë dhe kjo peshë ka rënë 4 pikë përqindje krahasuar me 6-mujorin e kaluar, ndërkohë që rreth 20 për qind deklarojë shpenzime në nivelin 10 mijë lekë deri 20 mijë lekë dhe kjo peshë është rritur gjatë periudhës me 3 pikë përqindje.

Numri total i anëtarëve të familjeve që sigurojnë të ardhura nga punësimi/vetëpunësimi në sektor shtetëror, privat dhe/ose burime të tjera, ka shënuar një rritje të lehtë (me 1.1 për qind) në terma gjashtëmujorë, por rënie me 2.1 për qind në terma vjetorë.

Duke e fokusuar analizën vetëm në pjesën e të punësuarve të kampionit të vrojtuar, numri total i tyre gjithashtu ka shënuar një rritje të lehtë (me 1.7 për qind) në terma gjashtëmujorë, por ka rezultuar në rënie (me 4.2 për qind) në terma vjetorë, e ardhur nga të tre sektorët e punësimit, por më e theksuar në rastin e punësimit në sektorin shtetëror. /Monitor/