Ritmi i lartë i ecurisë së turizmit ka ndikuar në një përmirësim të dukshëm të të ardhurave në ekonominë e Shqipërisë.
Sipas të dhënave të publikuara sot nga Banka e Shqipërisë, industria e turizmit gjatë tremujorit të parë të këtij viti regjistroi rritje të të ardhurave nga turistët në vlerën e 788 milionë eurove nga 624 milionë euro që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kjo është një shifër shumë optimiste duke marrë parasysh se bëhet fjalë për periudhën janar-mars, ndërkohë që parashikimet janë për një rritje edhe më të madhe gjatë pikut të sezonin veror.
Rreth 1.5 milionë të huaj që erdhën në vend në Shqipëri nga janari në muajin mars kanë shpenzuar në vend 788 milionë euro, nga 624 milionë euro që ishte vlera në janar-mars 2023. Kurse 1.7 milionë shqiptarët që udhëtuan jashtë kanë shpenzuar në shtetet e huaja 521 milionë euro, me rritje në krahasim me tremujorin e parë të vitit të kaluar kur u shpenzuan 435 milionë euro.
Banka e Shqipërisë thekson se, “Shërbimet e udhëtimit kanë zgjeruar balancën pozitive në +267 milionë euro, kundrejt nivelit +189 milionë euro, në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të ardhurat dhe shpenzimet nga shërbimet e udhëtimit u rritën respektivisht me rreth 26% dhe 20%, në terma vjetorë. Kjo ecuri është diktuar, kryesisht, nga rritja e numrit të udhëtarëve”.
Ndërkohë referuar INSTAT, në tre muajit e parë të këtij viti në vendin tonë kanë hyrë 1,535,113 të huaj nga 1.070.564 të huaj që erdhën vjet në të njëjtën periudhë.
Të ardhurat nga sektori i turizmit këtë vit pritet të regjistrojnë rekord të ri në raport me vitin e kaluar, për shkak edhe të fluksit në rritje të turistëve.
Shqipërinë e vizituan më shumë se 10 milionë të huaj në vitin 2023, duke arritur kështu një rekord historik. Ky bum ka sjellë rritje të të ardhurave, që vijnë direkt nga turizmi në ekonomi, por edhe të të ardhurave indirekte tek industritë mbështetëse, apo të lidhura me sektorin, që njihen si zinxhir i vlerës. /Telegrafi/