Misioni i OSBE-së në Kosovë ka sqaruar lajmin e publikuar në media, lidhur me rastin e dy zyrtarëve Jana Minochkina dhe Luis Bekteshi të cilët pretendohet se kanë kryer vjedhje në një dyqan në Prishtinë.
OSBE, përmes një komunikate thotë se personat në fjalë nuk janë pjesë e Misionit të OSBE-së, por kanë qenë vetëm pjesëmarrës në një projekt të tyre.
“Projekti “Modeli OSCE – Rinia për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë” ishte një iniciativë njëvjeçare nga Kryesia e OSBE-së 2014, ku të rinjtë nga të gjitha shtetet pjesëmarrëse, të referuara si “Ambasadorët e Rinj të Modeleve”, kanë qenë promovues të rinjve në zonën e OSBE-së”, thuhet në reagim.
Më tej thuhet se, të dy të apostrofuarit për vjedhje, kanë qenë pjesëmarrës të këtij projekti në vitin 2014, ndërkaq ata kurrë nuk kanë pasur ndonjë rol apo funksion në raport me Misionin e OSBE-së në Kosovë./Telegrafi/