Site icon Telegrafi

Të akuzuarit nuk e pranojnë vrasjen në ‘Bon Vivant’ (Video)

Është përsëritur seanca fillestare për vrasjen e rojës së lokalit “Bon Vivant”.

Pasi që kryetarja e trupit gjykues është ndërruar, në seancën e sotme është lexuar sërish aktakuza nga prokurorja Ferdane Sylejmani, ndërsa të akuzuarit përsëri janë pyetur se a e pranojnë fajësinë për këtë vrasje.

Prokuroria Themelore në Prishtinë i akuzon Masar Gërdovcin dhe Sherif Krasniqin se në bashkëkryerje kanë vrarë Rrahman Ukën, roje e lokalit “Bon Vivant” në Prishtinë më 13 tetor 2014.

I akuzuari Masar Gërdovci tha se e pranon fajësinë për veprën e armëmbajtjes pa leje ndërsa nuk e pranoi veprën e vrasjes.

Këtë deklarim e mbështeti avokati i tij, Mexhid Syla.

Ndërsa i akuzuari tjetër, Sherif Krasniqi, u deklarua i pafajshëm për akuzat që e ngarkojnë.

Avokatët propozuan që dy të akuzuarve t’u ndërpritet masa e paraburgimit ose kjo masë t’u zëvendësohet me një masë tjetër alternative, por këtë propozim e kundërshtoi prokurorja.

Gjykata vendosi t’i refuzojë propozimet e avokatëve për ndryshimin e masës së paraburgimit me ndonjë masë tjetër.

Nikë Shala mbrojtës i Sherif Krasniqit tha pas seancës se nga hetimet e zhvilluara nga prokuroria nuk rezulton se i mbrojtur i tij e ka kryer këtë vrasje dhe as që ka pasur me vete armë atë ditë.

“Konsideroj se gjatë hetimeve të zhvilluara nga ana e prokurorisë, nga mbrojtja e klientit tim dhe personave të dëgjuar në këtë çështje penale në bazë të përshkrimit që e kanë bërë personat, nuk ekziston dyshimi i bazuar mirë se klienti im është kryes i kësaj vepre penale për fat të keq të vrasjes dhe fare nuk ka poseduar armë ditën kritike për fat të keq ku ka ndodhur ngjarja tragjike”, tha Shala. /KALLXO.com/

Exit mobile version