Site icon Telegrafi

Të akuzuarit e Speciales do të vaksinohen deri më 4 korrik

Po mbahet konferenca e pestë e ecurisë së çështjes ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinaj.

Pandemia COVID-19 u konsiderua problem për ecurinë e çështjes për shkak të izolimit.

Gjatë konferencës së pesë për Gucatin dhe Haradinajt u tha se zyrtarët e Qendrës së Paraburgimit dhe si dhe të paraburgosurit do ta marrin vaksinën, gjegjësisht dozën e dytë të vaksinës anti-COVID deri më 4 korrik.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka vazhduar një pjesë të seancës me dyer të mbyllura për publikun dhe mediat, konkretisht në pikën që pati të bëjë me nxjerrjen e materialit provues.

Ndryshe, më 25 shtator 2020, Gucati dhe Haradinaj u arrestuan si të dyshuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, me mbështetjen e EULEX-it dhe policisë së Kosovës dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Me konfirmimin e aktakuzës, Gucati dhe Haradinaj kanë statusin e të akuzuarve para Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Më 24 dhjetor 2020, gjykatësi i procedurës paraprake vendosi që t’i vazhdohet paraburgimi Haradinajt dhe mohoi kërkesën e tij për një seancë dëgjimore për këtë çështje.

Më 5 janar Haradinaj ka apeluar ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit, por Paneli i Gjykatës së Apelit pranë Dhomave të Specializuara ka refuzuar apelin e Nasim Haradinaj kundër vendimit për mbajtjen e tij të mëtejshme në paraburgim.

Exit mobile version