Deklarata e zëvendësministrit Blerim Sallahu se ai ka informacione se të akuzuarit nga Gjykata Speciale në Hagë kanë marrë më shumë para se që duhet për mbrojtjen e tyre, ka ngjallur reagime në opinionin publik.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka deklaruar se nëse Blerim Sallahu ka dokumente për atë që e ka deklaruar e ka obligim që t’i dërgojë ato në prokurori.
“Zoti Sallahu si zëvendësministër i Drejtësisë do të duhej ta lexonte kodin penal të Republikës së Kosovës dhe atje do të gjente një dispozitë që në momentin kur has në ndonjë informacion se është keqpërdorë buxheti i Kosovës si në rastin që ka cekur, rastin duhet ta raportojë në prokurori. Është obligim ligjor i çdo zyrtari publik që kur ka informacione për ndonjë vepër penale ta informojë”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Ehat Miftaraj.
Rreze Hoxha nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike thotë se deri më tani Ministria e Drejtësisë ka refuzuar çdo kërkesë për qasje në shpërndarjet e mjeteve.
“Deri më tani qeveritë kanë refuzuar çdo kërkesë për qasje në dokumentet publike, kur është kërkuar të dihet se si janë shpërndarë këto mjete”, deklaroi Rreze Hoxha Zhuja.
Nga buxheti i Kosovës janë ndarë 20 milionë euro për ndihmë juridike dhe financiare për të akuzuarit e Gjykatës Speciale./Telegrafi/