Mediat italiane po merren me amanetin e Maria Malfatti, e cila është pasardhëse e kryebashkiakut të Roveretos.
Ajo u nda nga jeta në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, në moshën 80-vjeçare dhe në testament kishte përcaktuar se kush do ta trashëgonte pasurinë e saj – me vlerë pesë milionë euro.
Duke qenë se ajo nuk ishte e martuar dhe nuk kishte trashëgimtarë të drejtpërdrejtë, pritej që asetet (para në llogaritë rrjedhëse, apartamente dhe një ndërtesë historike në Via della Terra) të shkonin për nipërit e saj.
Megjithatë, Maria ia la pasurinë kujdestares së saj, transmeton larepubblica.
Në testament nuk përmendeshin gjithsej 10 pasardhës, por gruaja që u kujdes për të deri në ditën e saj të fundit.
Familjarët nuk u pajtuan me një epilog të tillë dhe bënë denoncim, me përfshirjen e avokatit, Luka Fedrici.
Ata pretendojnë se në ditët e fundit të jetës, Maria “nuk ka qenë e vetëdijshme” dhe besojnë se kujdestarja ka përfituar nga kjo.
Ndërkohë, autoritetet kanë ngrirë pronën deri në zgjidhjen e gjithë situatës. /Telegrafi/