(Sa nuk është bërë tepër vonë deri në shtator 2009)
“Qëndrueshmëria” është termi që ma së shumti është duke u keqpërdorur në Kosovën e pavarur, pasi është duke u vepruar në të kundërtën çka po e tregon edhe rasti i TC Kosova e re gjegjësisht pretendimi për caktimin e lokacionit përfundimtar në pjesën ekzistuese te “Kosova A”; kjo është një çështje fare e pa rëndësishme për vendimmarrësit. Principi kryesor i shfrytëzimit të burimeve të pa ripërtërishme-qëndrueshmëria, në rastin konkret thëngjill si pasuri e madhe e Kosovës nuk është duke u respektuar. Teknologjitë e reja në shekullin e ri mundësojnë shfrytëzimin e thëngjillit në shumë fusha tjera pa e ndotur ambientin tonë.
Komponenti hapësinorë dhe urbane nuk është trajtuar si duhet, e ajo është esenciale në tërë procesin e ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike në Kosovë. Cili ekspert i planifikimit hapësinor dhe urban do të lejonte ndërtimin e një përbindëshi të tillë prej 2100 megavat orë (MË) në faza, në afërsi të kryeqytetit Prishtinës dhe vendbanimeve të tjera total të injoruara. Sot fare nuk preferohet ndërtimi i kapaciteteve të reja ndotëse në afërsi të vendbanimeve edhe nëse burimet energjetike (thëngjilli) gjenden afër tyre, kosto e shfrytëzimit të tyre do të ishin mospërfillëse në krahasim me pasojat e mëdha që do ti kenë. Në disa shtete me vetëdije të lartë shtetërore ato rreptësishtë janë të ndaluara si ndotës permanent i mjedisit jetësor. Duhet shtruar pyetjen a ka termocentrale të ndërtuara në botë afër vendbanimeve të mëdha (ma pak se 3 km) si është duke u tentuar në Kosovë.
Vetëm i marri do të kundërshton zhvillimin e ardhshëm ekonomik të Kosovës e së bashku me te edhe ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike duke respektuar principet e zhvillimit të qëndrueshëm, ku shfrytëzimi i burimeve energjetike ekzistuese është njëri prej parakushteve themelore për zhvillim. Ana financiare e projektit është shumë e ndjeshme, shumë mirë ekspertët e fushave adekuate janë duke e shpjeguar aspektin ekonomik të ndërtimit të këtyre kapaciteteve energjetike me argumente bindëse. Përfitimet e Kosovës janë minimale pos ndotjes së madhe dhe çrregullimeve të pa imagjinueshme në aspektin hapësinor, ekonomik, social, shfrytëzimin e tokës etj.
Aspekti politik, sot në erën e globalizmit, është shumë i rëndësishëm, por nëse punohet por të ju shpjeguar ”atyre” me argumente se si duhet vepruar më së miri për Kosovën atëherë jam i bindur se edhe ata do të pajtohen më një proces konstruktiv të ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike ku përfitues do të ishim të gjithë ne si dhe partnerët ndërkombëtar të interesuar me investuar në këtë projekt shumë të rëndësishëm për ne. Kështu do të mbroheshin interesat kombëtare të Kosovës e cila as që duhet të pretendon të bëhet fuqi energjetike e rajonit me rezervat e thëngjillit që i ka shumë afër vendbanimeve.
Shumë mu duk interesant propozimi i një diskutuesi në Forumin 2015 (14.04.2009) i cili propozoi që të ketë kontakte me nivelet më të larta shtetërore e jo me disa “lobist” të kompanive konkurruese të përzgjedhura për ndërtimin dhe shfrytëzimin e pasurive të Kosovës me kushte tmerrësisht të jo-favorshme për në të cilët jemi të detyruar të jetojmë këtu. Nëse na kanë “çlirua”nga sundimi gati një shekullor serb nuk do të thotë se duhet të na vrasin ngadalë neve dhe gjeneratat e ardhshme të kosovarëve këta “lobet e ndryshme” të dyshimta edhe politikisht.
Lokacioni i propozuar me disa varijanta ekskluzivisht është i bazuar vetëm në leverditë përfituese ekonomike duke e harruar së këto lokacione janë caktuar në vitet 60’ dhe 80’ kur Prishtina kishte shumë pak banorë,maksimum njëqindmijë. Sot ky qytet është i mbipopulluar nga të gjitha anët e Kosovës kemi invadim të pa kontrolluar të banorëve për kushte ma të mira jete në kryeqytet, me tendenca të zgjerimit të mëtutjeshëm. E tërë kjo është duke ngjarë në mënyrë stihike pa studime dhe analiza hapësinore dhe urbane ku do të shihej ndikimi katastrofal i ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike në afërsi të kryeqytetit e sa për vendbanimet tjera afër, ata po mashtrohen që 40 vjet me premtime boshe. Nuk mundet askush të bind banorët e Prishtinës, Dardhishtës, Kastriotit me rrethinë për efektet e prodhimit të energjisë me metodat “bashkëkohore” si tentohet të prezantohet ky projekt pasi realiteti është tërësisht ndryshe me pasoja të rënda.
Nëse do të veprohet ashtu si e kërkojnë ligjet, rregullat dhe standardët ndërkombëtarë në fushën e planifikimit hapësinor dhe urban atëherë edhe të metat e projektit, jetik për Kosovën dhe ekonomin e sajë do të ishin minimale e jo të parashihet punimi i tyre pas VSNM ashtu si propozohet në projektin PATEL. Plani hapësinor i kësaj zone i cili është duke u punuar tani vetëm do të tentoi të legalizoi një tendencë të tillë të mbrapshtë edhe se ende nuk është përfunduar.
Lokacioni i pretenduar (raporti i VSMS rekomandon ndërtimin në lokacionin e “Kosova A”) do të jetë vetëm vazhdimësi e asaj çka ka ngjarë me vendbanimet afër termocentraleve ekzistuese. Janë 20 qyteza dhe fshatra, afro 32.000 banorë jetojnë në zonën e rrezikshmërisë së lartë. A thua duhemi edhe dhjetëra vite të tjera (40 vite) të “helmohemi” nga këta ndotës nëse zgjedhim lokacionin e termocentralit të ri në lokacionet ekzistuese të objekteve energjetike, pa marr parasysh në “mbulesën” me direktivat evropiane të cilat në Kosovë nuk do të funksionojnë gjatë eksploatimit të termocentraleve të reja, ashtu si ka ngjarë në kohën e monizmit, edhe deri në ditët e sotme pa marr parasysh mjetet e mëdha materiale (afër një miliard euro) që janë shpenzuar pas vitit 1999.
Kosova ka fuqi financiare të ndërtojë një rrugë të re të qasjes prej 5-6 km, si dhe një urë të re apo zgjatjen për 3 km. të kanalit Ibër-Lepenc, rrjetin elektrik deri te stacionin shpërndarës 400 kV, ndoshta edhe ma larg varësisht nga lokacioni përfundimtar, e jo të propozohen “përjashtime” si veprohet në rastin konkret në raportin e VSMS. Ky do të ishte investim shumë i vogël në krahasim me përfitimet për të gjithë ne që jetojmë dhe veprojmë në këto hapësira.
Duhet të ndërtohen kapacitete të reja energjetike nga thëngjilli për nevoja të Kosovës pas hulumtimeve detale të burimeve alternative të energjisë me të cilat Kosova disponon, nga aspekti i planifikimit hapësinor dhe urban duhet urgjentisht:
• Të dislokohen vendbanimet rreth lokacionit të përvetësuar e jo të na përsëritet “rasti Hade”. Prishtina si kryeqytet i Kosovës të jetë vetëm qendër administrative e përkohshme. Të mendohet seriozisht nga profesionistët për kryeqytetin e ardhshëm të shtetit të Kosovës.
• Të largohemi nga koncepti i tejkaluar i planifikimit hapësinor dhe urban“Prishtina metropol”.Me këtë problem po ballafaqohen të gjitha qendrat ma të mëdha botërore e për të cilat na obligojnë edhe dokumentet evropiane në fushën e planifikimit hapësinor ku zhvillimi policentrik i territorit është njëri prej principeve kryesore të shoqërisë. (ESDP).
• Të ndërpritet zgjerimi i vendbanimeve me zona të reja banimi dhe funksione përcjellëse që duhej të karakterizonin një kryeqytet të një shteti të pranuar ndërkombëtarisht.
Ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetiken në faza, me kapacitet 2100 megavat, si dhe zhvillimi i jetës normale në rrethinë është i pa mundur në hapësirat ku gjenden rezervat e thëngjillit nëse nuk caktohet lokacioni i përshtatshëm dhe të ndërmerren masat adekuate mjedisore, hapësinore dhe urbane.
Munden të merren edhe vendime të dëmshme politike, ndoshta nën presion të “lobistëve” të ndryshëm, që shkojnë ne damë të Kosovës si ishte kontrata e nënshkruar nga qeveria e kaluar për shfrytëzimin e energjisë elektrike për “Ferronikëlin” në Drenas me një kompani të huaj private. Rasti i “TC Kosova e re”duhet detal të matet me të gjitha elementet substanciale të ekzistencës së popullatës pa cenuar interesin kombëtar pas shumë shekujve e për këto çështje duhet pasur guxim qytetar dhe shtetëror në të gjitha nivelet.
Këto tendenca të dëmshme shumë thjesht munden të argumentohen dhe do të jenë përgjegjësi e atyre që i pranojnë para gjeneratave të ardhshme pasi si të dëmshme sanksionohen edhe me ligjet aktuale të Republikës së Kosovës pa marr parasysh së një mekanizëm i tillë për momentin nuk është duke funksionuar. Askush nuk ka të drejt të merr fatin e një populli në duart e veta pa arsye të mëdha të cilat duhet me qenë transparente, të argumentuara në nivel të ekspertëve e pastaj më gjerë duke respektuar principet ndërkombëtare të qëndrueshmërisë hapësinore dhe urbane.
Pa marr parasysh koston e shpenzimeve kapacitetet e reja energjetike duhet vendosur në një zonë ku do të ketë implikime minimale në mjedis, në jetën e njerëzve (sugjerohet transporti i thëngjillit) e për këtë ekzistojnë mundësitë teknike si dhe ato natyrore pasi baseni i linjitit në Kosovë dhe shtrirja e tij e hulumtuar deri me sot, e mundëson këtë për eksploatim të qëndrueshëm të linjitit. Këtë e kemi obligim së pari ndaj vetvetes e pastaj edhe ndaj gjeneratave të ardhshme pasi jemi në fazën e vendimit me shumë përgjegjësi që duhet marr nga kjo gjeneratë aktuale e vendimmarrësve (në “njëqind metrat e fundit” të theksuara në Forumin 2015).
Nëse “përmirësimi i cilësisë së jetës së njerëzve”është synimi kryesor i Strategjisë së Mjedisit i Bankës Botërore e aprovuar në vitin 2007, si mundemi të shpresojmë se këtu do të ketë “përmirësime”duke u nisur nga përvoja e hidhët gati gjysmë shekullore, posaçërisht në sektorin e energjetikës në Kosovë.
(Autori është ish-zyrtar i lartë në MMPH në Departamentin e Planifikimit Hapësinor, tash arkitekt i pavarur)