Shefja e Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Shkup Xhihan Tavila, ka deklaruar se Maqedonia e Veriut është në mesin e vendeve që janë transparente sa i përket numrave dhe statistikave për COVID-19.
Ajo tha se nuk është e saktë deklarata se Maqedonia e Veriut ka shkallë më të lartë të vdekshmërisë në rajon, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“E di se Maqedonia e Veriut është në mesin e vendeve që janë më transparente në shpërndarjen e numrave dhe statistikave. Kjo kontribuon në regjistrimin dhe paraqitjen e çdo rasti të vdekjes nga COVID-19. Unë e di se Maqedonia e Veriut bën teste pas vdekjeve. Them se duhet të jemi të kujdesshëm kur i krahasojmë vendet, pasi dallimet në mënyrën e mbledhjes së të dhënave mund të jenë të kufizuara”, tha Tavila.
Ajo shtoi se çdo rast i mundshëm është regjistruar dhe se Maqedonia e Veriut i ndjek rregullat për regjistrimin e të gjitha rasteve./Telegrafi/