Telegrafi

Tatime të reja për ceremonitë fetare në Maqedoni (Video)

Fotografimi 500 den, incizimi 1000 denarë. Një sërë reagimesh në opinion dhe në rrjetet sociale pas vendimit të dioqezës së Povardarjes për të vendosur tatim të ri gjatë shfrytëzimit të objekteve fetare për dasma, pagëzime apo për varrim. Këtu hapet dilema se a do ta ndjekin këtë shembull edhe objektet e tjera kishtare në Maqedoni gjatë manifestimeve familjare. Qytetarët shprehen të habitur dhe konfuz.

Për këtë tarifë të re, reaguan edhe nga Shoqata e kameramanëve dhe fotografëve. Për ta, është e pakuptueshme që kisha të vendosë një tatim të këtillë, sepse kameramanët dhe fotografuesit nuk marrin asnjë shërbim e nga institucionet fetare. Përveç kësaj, ata konsiderojnë se me këtë tatim, shkelen edhe disa ligje.

“Konsiderojmë se vetë mënyra e dhënies së parave është joadekuate në Maqedoni. Këto do të jenë një lloj i “parave të zeza” të cilat do të jepen në dorë dhe për të cilat nuk do të kemi asnjë dokument valid si dhe mënyrë për kthim të TVSH-së”, tha për TV21, Danço Stefkov, pronar i produksionit.

Duke krahasuar zakonet dhe traditat që shënohen në objektet fetare, tarifa të këtilla ka vetëm tek besimtarët ortodoksë. Teologu Qenan Ismaili thotë se është e lejueshme të jepet ndonjë dhuratë e caktuar, por shton se tarifë strikte në Islam nuk ka.

Ekspertë komentojnë se tarifa e re, vetëm sa do të shtojë revoltën tek besimtarët. Se materialja po mbizotëron ndaj shpirtërores, kjo dëshmohet edhe nga xhipat dhe limuzinat luksoze me vlerë prej dhjetëra mijërash eurove me të cilat voziten priftërinjtë dhe klerikët. Përndryshe, këtë verë, Kisha Ortodokse Maqedonase bleu një motoskaf në vlerë prej pothuajse 200 mijë eurove.

Ekspertët me qëndrim se, miratimi i tarifës së re të Kishës Ortodokse të Maqedonisë për shërbime kishtare do të bëjë që besimtarët gjithnjë e më tepër të largohen nga tempujt e shenjtë por edhe nga i gjithë religjioni në tërësi.