Federata e Tenisit e Kosovës me datë 15.12.2021 ka mbajtur ceremoninë e inaugurimit të balonit për mbulimin e dy fushave të tenisit në Prishtinë.
Baloni për mbulimin e dy fushave të tenisit është donacion nga Federata e Tenisit e Turqisë përmes Ministrisë për Kulturë Rini dhe Sport të Turqisë.
Me një fjalë rasti kryetari i Federatës së Tenisit të Kosovës, Jeton Hadërgjonaj, falënderoi përzemërsisht kryetarin e Federatës së Tenisit të Turqisë, Cengiz Durmus dhe Ministrinë për Kulturë Rini dhe Sport të Turqisë për dhënien e këtij donacioni që është shumë i rëndësishëm për tenisin në Kosovë, gjithashtu falënderoi edhe të gjithë të pranishmit që na nderuan me prezencën e tyre.
Të pranishëm në ceremoni përveç shumë dashamirësve të tenisit, me prezencën e tyre na nderuan: Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, së bashku me sekretarin e përgjithshëm të KOK, Besim Aliti, zëvendësministrja e MKRS, Daulina Osmani, përfaqësuesi nga TIKA Kosova, Cihan Dinçer, ish kryetarët e FTK-së, Agim Islami, Shkëlzen Domi dhe Mejdi Rexhepi. Përderisa përmes lidhjes direkte na nderoi kryetari i Federatës së Tenisit të Turqisë z. Cengiz Durmus përmes të cilit u mundësua ky donacion kaq i rëndësishëm.
Federata e Tenisit e Kosovës dhe i gjithë komuniteti i tenisit është jashtë mase falënderuese ndaj Federatës së Tenisit të Turqisë dhe Ministrisë për Kulturë Rini dhe Sport në Turqi për këtë donacion, i cili do të ndihmojë zhvillimin e tenisit në Kosovë në 12 muajt e vitit.