Para pak minutash, Manchester United përmes një komunikate zyrtare në rrjetet sociale njoftuan për ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin Erik Ten Hag.
“Erik Ten Hag e ka lënë rolin e tij si trajner i parë i Manchester United. Erik është emëruar në prill të vitit 2022 dhe e ka udhëhequr klubin drejt dy trofeve, duke fituar Carabao Cup në vitin 2023 dhe FA Cup në vitin 2024”.
“Ne jemi mirënjohës ndaj Erik për çdo gjë që ai ka bërë gjatë kësaj kohe me ne dhe i urojmë më të mirat për të ardhmen”.
“Ruud Van Nistelrooy do të marrë drejtimin e skuadrës si trajner i përkohshëm, i mbështetur nga stafi aktual i trajnerëve, deri në momentin e emërimit të trajnerit të ri”, thuhej në njoftimin e Unitedit.
Mediat angleze tashmë kane filluar me raportimet se favoriti kryesor për ta marrë drejtimin e Unitedit është ish-përzgjedhësi i Anglisë, Gareth Southgate.
Southgate kishte dhënë dorëheqje nga Anglia pas disfatës në finale të Kampionatit Evropian 2024 ndaj Spanjës dhe momentalisht është i papunë.
Kjo nuk është hera e parë që emri i Southgate lakohet në media si pasardhës i mundshëm i Ten Hag, por nuk është as i vetmi.
Përveç teknikut anglez, në listën e ngushtë të Unitedit gjendet edhe ish-trajneri i Borussia Dortmundit, Edin Terzic por ky më pak i favorizuar se sa Southgate./Telegrafi/