Telegrafi

Tasevski: BSP-ja vazhdon me reforma, duhet të jetë në shërbim të qytetarëve

“Depolitizim, përjashtim i mundësisë për ndikim politik, reforma të vazhdueshme, sundim të së drejtës dhe sjellje etike, janë vijat në të cilat duhet të lëvizë puna e Byrosë për Siguri Publike (BSP), për të realizuar funksionin bazë – mbrojtjen e jetës, sigurinë personale dhe pasurinë e qytetarëve”.

Këtë e thotë drejtori i BSP-së Sasho Tasevski. Në një intervistë për AIM ai thekson se përveç kushteve të përgjithshme, me ligj janë të definuara edhe kushtet e veçanta që duhet të plotësohen për emërimin e drejtorit të BSP-së, me çka sipas tij, përjashtohet mundësia për ndikim, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Tasevski tha se procesi i reformave do të vazhdojë edhe më tej, përmes ndjekjes së trendeve bashkëkohore të zhvillimit të policisë në vendet e rajonit dhe shteteve anëtare të BE-së.

Ai tha se prioritet është që të forcohet kapaciteti dhe resurset të njësive të veçanta organizative në kuadër të krim-policisë, për zbatimin e hetimeve për krim serioz, duke përfshirë edhe zbulimet kriminalistike, hetimet financiare, krimet kompjuterike, tregtinë me njerëz, larjen e parave dhe terrorizmin.

Ndërsa sa i përket depolitizimit, Tasevski tha se zyrtarët policorë nuk duhet ta përdorin detyrën e tyre për qëllime politike./Telegrafi/