Analiza e aktgjykimeve të plotëfuqishme për lëndë të procesuara në dhjetë vitet e fundit në gjykatat e Maqedonisë tregon mosrespektim të plotë të ligjeve dhe një nevojë të madhe për rishikim serioz të punës së gjykatësve dhe praktikës gjyqësore.
Kështu shprehet kryetarja e Transparency International për në Maqedoni, Sllagjana Taseva.
Në promovimin e analizës së thellë “Sistemi gjyqësor nën llupë”, Taseva tha se analiza paraqet dëshmi për një punë joprofesionale, të pamatur, të paligjshme të sistemit gjyqësor, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Sipas saj, është e qartë se janë bërë shkelje ligjore, respektivisht janë bërë shumë padrejtësi, duke shtuar se që nga caktimi i paraburgimit, aktakuzat, faktet vendimtare, të gjitha këto kanë munguar në këto lëndë që e pamundësojnë të dihet sakt se kush çfarë ka bërë dhe për cilën vepër është dënuar.
Në lidhje me reformat në gjyqësi, Taseva tha se deri tani nuk kanë parë reforma, por vetëm tentime për të krijuar një strategji.
Ajo e përmbylli me fjalët se gjetjet në analizë duhet të jenë udhërëfyes për punën e organeve gjyqësore, dhe se nuk duhet të injorohen./Telegrafi/