Organizata joqeveritare ‘Transparency International’ dje e publikoi indeksin e perceptimit të korrupsionit për vitin 2016 në 176 shtete, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Sa i përket korrupsionit Maqedonia është në pozitën e 90-të. Në indeksin për vitin 2015 shteti ka qenë në pozitën e 66, në vitin 2014 në pozitën e 64 ndërsa në vitin 2013 TI e ka radhitur në pozitën e 67.
Sipas gruas së parë të ‘Transparency International’ në Maqedoni, Sllagjana Taseva, problemi me korrupsionin është përshkallëzuar, ndërsa qeveria i injoron të gjithë treguesit për këtë problem.
‘Qeveria e Republikës së Maqedonisë, e cila për shumë vite ka udhëhequr një politikë të bazuar në klientelizëm dhe interesa, jo vetëm se i ka lënë pas dore të gjithë treguesit e përshkallëzimit të problemit me korrupsionim, por me krijimin e sistemit të kapur ka pamundësuar funksionimin e institucioneve që janë përgjegjëse për luftimin e korrupsionit’, ka theksuar Taseva.
Ajo apelon se ky sistem duhet të ndryshohet sa më shpejt të jetë e mundur me një sistem në të cilin do të sundojë ligji, ku institucionet do të jenë efektive dhe do të marrin masa serioze për të trajtuar korrupsionin si një çështje me prioritet të lartë. /Telegrafi/