Universiteti i Gjirokastrës “Eqrem Çabej”, është bërë pjesë e marrëveshjes me Këshillin Nacional të Preshevës, duke u mundësuar studentëve nga Presheva të studiojnë në këtë Universitet.
Për vitin akademik që sapo ka nisur, në Gjirokastër janë regjistruar 8 studentë nga Presheva, që do të studiojnë kryesisht në infermieri.
Vetë studentët japin arsyet e kësaj zgjedhjeje.
“Diploma këtu në Shqipëri pranohet gjithkund. Jam nga Bujanoci. Diplomat e Kosovës nuk njihen atje, studioj infermieri dhe kjo degë ka perspektivë të madhe, kemi mbështetje nga Këshilli Nacional ku akomodimin dhe shkollimin e kemi të paguar”, tha një nga studentët.
“Diploma e Shqipërisë njihet në vendin tonë dhe vendit tonë i nevojiten infermierë të rinj, tarifat e shkollës dhe konviktin i kemi pa lekë”, thotë një tjetër studente.
Kjo mënyrë e përthithjes së studentëve edhe nga trevat shqiptare në rajon, është një mundësi e mirë edhe për plotësimin e kuotave të universitetit, i cili prej vitesh është në vështirësi për numrin gjithnjë në ulje të studentëve. /Telegrafi/