Site icon Telegrafi

Targat e automjeteve në Shqipëri mund të personalizohen nga janari i vitit 2022

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor në Shqipëri ka ndërmarrë disa ndryshime në lidhje me targat e makinave.

Ata njoftojnë se për herë të parë do të lejohet targa e personalizuar deri me 7 karaktere, e cila për herë të parë do të jetë edhe e transferueshme nga mjeti në mjet.

“Për herë të parë do të kemi targë të personalizuar, deri me 7 karaktere (numra ose gërma) e cila për herë të parë do të jetë edhe e transferueshme nga mjeti në mjet (mbartja do të vlejë edhe për targat me përzgjedhje)! Ky shërbim do të jetë me tarifa ekstra”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, do të prodhohen edhe targa me format më të vogël ose katrore për ato mjete që nuk kanë hapësirë për të vendosur targën me formatin standard.

Targa më të vogla do të prodhohen po ashtu edhe për motoçikletat, ndryshe nga sa është vepruar deri më tani.

Njoftimi i plotë:

Miratohen në Qeveri ndryshimet në VKM153 (Rregullorja e Kodit Rrugor).

Ndër to DPSHTRR sjell risi simpatike për qejflinjtë e timonit, nga 2022-shi:

– Për herë të parë do të kemi targë me dimensione më të vogla, për përpara, për automjetet që kanë kufizim hapësire! Targa e re e vogël do të ketë dimensionet 360 x 100 mm (si në foto)! Shërbimi do të jetë me tarifë ekstra!

– Për herë të parë do të kemi targë të personalizuar, deri me 7 karaktere (numra ose gërma) e cila për herë të parë do të jetë edhe e transferueshme nga mjeti në mjet (mbartja do të vlejë edhe për targat me përzgjedhje)! Ky shërbim do të jetë me tarifa ekstra!

– Për herë të parë do të kemi format targe amerikane, për automjetet që nuk kanë hapësirën e duhur për formatin standard, zakonisht për targën e pasme, me përmasa 305 x 153 mm, kundrejt tarifës ekstra!

– Për herë të parë targat e motoçikletave do të jenë në formatin e ri 177 x 177 mm për t’u përshtatur me hapësirën standard të prodhuesit për motomjetet! Tarifat e njëjta me sot!

– Shpejtohet kompletimi i flotës shqiptare të mjeteve rrugore me targën standard të modelit aktual. Çdo mjet rrugor i pajisur me targa para datës 01.03.2010 (me targa modeli i vjetër), që paraqitet pranë zyrave të DPSHTRR për të marrë një shërbim që lidhet me mjetin, duhet të ndryshojë targat e mjetit rrugor në targa të modelit të ri)!

Të gjitha risitë vlejnë për të gjitha kategoritë e mjeteve rrugore civile!

Në vijim, me botimin e ndryshimeve në Fletoren Zyrtare, DPSHTRR – MIE do të procedojnë me aktet rregullatore, caktimin e tarifave, dhe kryerjen e investimeve dhe zhvillimeve informatike përkatëse që do të mundësojnë zbatimin e këtyre risive! Të ardhurat ekstra nga këto shërbime do të shkojnë për modernizimin e DPSHTRR si edhe për projekte e programe speciale mbi kulturën automotive e Green, sektorin Retro, Automotoparkun e parë shqiptar dhe për aktivitete edukative mbi Sigurinë Rrugore. /Oranews/

Exit mobile version