Igli Tare mund të largohet nga Lazio për një aventurë të re në një tjetër shtet dhe kampionat.
Shqiptari ka qenë shumë i suksesshëm si drejtor sportiv te Lazio prej vitesh, ku shpesh herë ka fituar edhe çmime në Itali për punën fantastike që ka bërë me klubin kryeqytetas.
Por shtatlarti vlonjat mund të largohet nga Lazio për një aventurë të re, pasi ai pëlqehet shumë nga skuadra të ndryshme si në Itali ashtu edhe në kampionatet tjera.
Sipas asaj që ka raportuar mediumi italian ‘TuttoMercatoWeb’, drejtuesi i skuadrës kryeqytetase është shënjestruar nga skuadra e Bundesligës, RB Leipzig.
Tare është një profil shumë i vlerësuar nga drejtuesit më të lartë të klubit gjerman që po e duan atë në rolin e drejtorit sportiv.
Puna e kryer në Itali me Lazion për ish-lojtarin e Kombëtares shqiptare nuk ka kaluar pa u vërejtur.
Emri i drejtuesit shqiptar është rrethuar me të kuqe për drejtuesit më të lartë të RB Leipzig, të cilët ende nuk ka pasur ndonjë kontakt, por është një skenar i mundshëm për t’u konkretizuar në muajt e ardhshëm.
Filozofia e klubit gjerman është të blejnë lojtarë të ri e të talentuar dhe pastaj t’i shesin për shifra shumë herë më të larta.
Dhe thuajse askush si Tare nuk ka bërë më mirë në këtë aspekt, pasi shqiptari ka zbuluar disa lojtarë që i ka transferuar me çmim të lirë te Lazio, por pastaj klubi i ka shitur me çmim shumë më të lartë.
Gjithsesi kjo mbetet një hipotezë, por që shumë lehtë mund të bëhet realitet dhe Tare të vazhdoj karrierën si drejtor sportiv në Bundesliga te Leipzig. /Telegrafi/