Kryetari i Komunës së Gostivarit Arben Taravari, përmes rrjeteve sociale e ka publikuar vendimin e Gjykatës Administrative, me të cilin anulohet vendimi i Ministrisë së Arsimit për marrjen e kompetencave të arsimit.
Taravari shkruan se Gjykata Administrative e ka aprovuar padinë e Komunës së Gostivarit kundër Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, se në mënyrë të paligjshme kryetarit të komunës së Gostivarit i janë marrë kompetencat në sferën e arsimit në pjesën e emërimit dhe shkarkimit të drejtorëve të shkollave fillore dhe të mesme komunale, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Pra, tash secili nxënës, prind, qytetar, përfshirë këtu edhe militantët partiakë të BDI-së e kuptojnë se ata që morën në qafë arsimimin dhe edukimin e gjeneratave të reja në komunën tonë, kanë emër e mbiemër dhe adresë”, shkruan Taravari.
Ndaj pohimeve të Taravarit ka reaguar edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi. Ai në Facebook shkruan se vendimi i Gjykatës Administrative nuk thotë se kryetari i Komunës së Gostivarit ka vepruar në mënyrë të ligjshme.
“Gjykata ka aprovuar padinë për arsye se, sipas tyre, disa shkresa kanë munguar, gjegjësisht nuk janë dorëzuar në tërësi, e disa të tjera nuk kanë qenë të lexueshme për gjykatën (megjithëse janë dorëzuar të gjitha shkresat në formë të rregullt), andaj skanë mundur ta konstatojnë bazën e aktvendimit për marrjen e kompetencave”.
“Në bazë të këtij vendimi, MASH mund të sjellë përsëri vendim të njëjtë apo të parshtroj ankesë në Gjykatën e Lartë Administrative. Ne u përcaktuam për opcionin e dytë dhe në ditën e hënë është dorëzuar ankesa me të gjitha shkresat e lëndës, dhe se sigurisht se drejtësia duhet të shkoj në vend”, shkruan Ademi.
Ai më tej shton se kryetari i Gostivarit dhe të tjerët e kanë të vështirë të politizojnë arsimin./Telegrafi/