Dje ishte ditë historike për shtetin dhe për tifozët që ishin prezent në stadium si kurrë më parë. Por, para ndeshjes pati një element diskriminimi për shqiptarët e Maqedonisë. Maqedonia priti dy gjigantët evropian për ndeshjen e Superkupës evropiane, Real Madrid dhe Manchester United.
Telegrafi Maqedoni ka kontaktuar që të flet edhe me Arben Taravarin, sekretarin e partisë shqiptare pjesmarrëse në Qeverinë e Maqedonisë. Ai gjithashtu është edhe pjesë e ekzekutivit, pra ministër i shëndetësisë.
Taravari këtë e klasifikon si turp dhe përçmim për shtetin. ”Mbrëmë në shtetin tonë u zhvillua një ndeshje kampionësh, e cila për shkak të organizatorëve u shndërrua në një ndeshje humbësish! Duke mos lënë jashtë përgjegjësisë deri insitucionet më të larta të futbollit ndërkombëtar, të cilët kanë fushatë të vazhdueshme kundër racizmit, organizatorët lokalë kishin fshehur, zhdukur, fikur një nga etnitë më të rëndësishme jo vetëm të këtij shteti por dhe të vetë Evropës, siç është etnia shqiptare. Shqiptarët me një nga gjuhët më të vjetra në kontinent, të vetmen pasardhëse së Ilirëve të famshëm, janë mëkëmbësit e civilizimit të parë e të lashtë evropian. E sidomos maqedonasëve që duket se e duan lashtësinë do ju bënte nder kjo punë!”
”Para anglezëve e spanjollëve do ishte e udhës që të prezantohej njëri nga të zotët e shtëpisë që i priti, shqiptari, i cili për turp të të gjithë atyre që e penguan ishte lënë përjashta! Kërkoj me urgjencë të mbajnë përgjegjësi të gjithë shkaktarët e këtij incidenti të rëndë, kudo dhe kushdo qofshin ata! Shqiptarët janë shtetformues në Maqedoni. Ata as kanë vjedhur, as kanë pushtuar, as kanë gënjyer ndonjëherë! Shqiptarët bëjnë pjesë në grupin e parë të arkitektëve që ndërtuan këtë Evropë në të cilën jetojnë dhe e gëzojnë shumë shtete! Ajo e mbrëmshmja ishte turp e sidomos frikë nga fisnikëria shqiptare! Të njëjtën gjë do e thoja dhe mendoja për çdo komb sikur të ndodhej para një padrejtësie të tillë! Është e pabesueshme që në vitin 2017 të ndodhin kështu marrëzish! Me përçmim të thellë” shkruan Arben Taravari për incidentin e mbrëmshëm. /Telegrafi/