Telegrafi

Taravari: Pres konstatimet e komisionit hetimor për vdekjen e foshnjës 14 muajshe

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari është pyetur sot nga gazetarët për rastin e vdekjes së foshnjës 14-muajshe në Klinikën e Fëmijëve në Shkup.

Taravari tha se është duke pritur konstatimet e komisionit të formuar për hetimin e këtij rasti, dhe se nuk mundet që ai të sillet si gjykatës.

“Fatkeqësisht dje ka pasur një rast tragjik. Kjo mund të pritet nga një sistem i degjeneruar. Unë shpreh ngushëllime ndaj familjes dhe ndaj gjithë atyre që me trishtim e kanë pranuar këtë lajm. E di se ne si Ministri e Shëndetësisë, edhe unë si ministër i Shëndetësisë, edhe ditën e djeshme dhe sot në detaje jam informuar rreth gjithë asaj çfarë ka ndodhur dhe patjetër të ketë përgjegjësi. Mos pritni prej meje që sot të sillem si gjykatës dhe të sjell një vendim, sepse më duhen detaje, duhet që organet kompetente të konstatojnë që nëse ka pasur gabim mjekësor dhe pas asaj lënda të kalojë në Gjykatë dhe atje të sillet vendimi definitiv për më tutje. Po është kthyer foshnja. Për detaje të mëtutjeshme më lejoni që komisioni t’i konstatojë…”, deklaroi ministri Taravari.