Ministri i Shëndetësisë dhe një nga liderët e VLEN-it, Arben Taravari thotë se ndryshimet kushtetuese dhe fillimi i bisedimeve me Bashkimin Evropian, janë prioritet absolut i Qeverisë.
Taravari për “Zërin e Amerikës” tha se Kryeministri me partinë e tij në pushtet kanë 58 deputetë dhe është e qartë se pa partinë e tij nuk ka ndryshime kushtetuese.
“Mickoski ka thënë publikisht dhe qartë se ai është i interesuar të fillojmë negociatat me BE-në sa më shpejt, por kërkon një kusht që Maqedonia e Veriut, të mos ketë kushtëzime tjera gjatë negociatave në vazhdim. Sepse Maqedonisë i kanë ndodhë disa kushtëzime që nga vitit 2002 kur është votuar stabilizim asocimi. Një herë u ndërrua flamuri, pastaj emri, tash kemi një kërkesa nga Bullgaria për futjen e bullgarëve në preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë. Kjo për Kryeministrin nuk është problem dhe e pranon si kusht, por kërkon një garanci se ky është kushti i fundit për Maqedoninë gjatë negociatave deri në anëtarësim”, tha Taravari.
Ai shtoi se në vitin 2017 kur Zoran Zaev e ndryshoi emrin dhe u futëm në NATO, e cila ishte një hap gjigant i Maqedonisë drejtë integrimeve euroatlantike, por pritshmëritë e tij ishin që menjëherë të fillojmë edhe negociatat me BE-në. Por siç tha, Taravari, në vitin 2019 kishim një kushtëzim nga Franca dhe mandej doli kushti nga Bullgaria.
Taravari foli edhe për pezullimin e programeve të USAID-it nga SHBA-të që zbatoheshin edhe në vendin tonë.
“Përshtypja për USAID-in në Maqedoninë e Veriut është shumë pozitive. Sa kam qenë kryetar komune në Gostivar, kemi pasur një numër të madh të projekteve që janë realizuar përmes USAID-it, kryesisht kanë qenë projekte për çerdhe dhe shkolla. Kanë qenë projekte kredibile dhe të besueshme që kanë mbështetur shumë Maqedoninë e Veriut. Por kjo që ndodhë me Presidentin amerikan, nuk e di prapavijnë dhe besoj se do të ketë ndikim edhe te. USIAD ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm, flas për investimet kapitale që janë bërë në arsim, por edhe në lëmi tjera në Ballkan”, tha Taravari./Telegrafi/