Telegrafi

Taravari: Koalicioni VLEN është garancia më e mirë që Maqedonia e Veriut do ta vazhdojë rrugën europiane

Koalicioni “VLEN” është garancia më e mirë që Maqedonia e Veriut do të vazhdojë rrugën evropiane, tha Arben Taravari, i cili është pjesë e këtij koalicioni. Në një paraqitje për “Kanal 5″, tha se nuk dëshiron që të përsëritet viti 2008, duke shtuar se “nëse ka një ‘strategji 2028’ që Maqedonia, Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi të hyjnë në një paketë, kjo tashmë është një arsye pse duhet të bëhen disa gjëra me nxitim”.

“Unë garantoj se do të ketë modalitete që do të jenë të pranueshme nga të dyja palët. Edhe për Shkupin edhe për Sofjen, jam i sigurt, por kryeministri i ardhshëm me siguri do të thotë se cilat janë opsionet. Mirëpo, po ju them se po punojmë intensivisht në këtë”, tha Taravari.

I pyetur nëse ka folur me kryetarin e OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski, për ndryshimet kushtetuese, ai tha se nuk është korrekte të thotë se për çfarë zgjidhjeje është biseduar, por kjo duhet të njoftohet nga mandatari ose kryeministër i ardhshëm.

“Ne punojmë nga disa aspekte. Jam optimist se do të gjendet një zgjidhje. Do të kemi ndihmë nga organizatat joqeveritare dhe nga njerëzit që duan të ndihmojnë Maqedoninë, e gjitha për të lëvizur dhe për të filluar negociatat, sepse është për të mirën e qytetarëve”, tha Taravari.

Ai gjithashtu theksoi se pret nga BDI që të jetë opozitë konstruktive dhe të “bëjë tranzicion të qetë”./Telegrafi/