Telegrafi

Taravari: E patjetërsueshme është themelimi i një Gjykate Speciale (Video)

Sipas sekretarit të përgjithshëm të LR-PDSH-së, Arben Taravari, Prokuroria Speciale është shpresa e vetme e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, për të dalë e vërteta në shesh. Ai shtoi se patjetër do të duhet të themelohet edhe një gjykatë speciale, që do ta ndihmonte punën e Prokurorisë Speciale, e cila pengohet nga gjykatat shtetërore të kapura nga pushteti, njofton Shenja.

Taravari u shpreh shumë i bindur se, të gjithë funksionarët të cilët sot janë në pushtet e që e kanë keqpërdor pozitën zyrtare, një ditë patjetër të përgjigjen para drejtësisë.

“Ky është reflektim para asaj që ndodhë pak më në veri. Në qoftë se mundeshte Helmut Kol-i si njeri që i bashkoi dy Gjermanitë, të përgjigjet para ligjit, në qoftë se mundeshte ish kryeministri i Sllovenisë i cili tash është në proces gjyqësorë, ish kryeministri Sanader i Kroacisë, e kështu me radhë, nuk e di momentumin kur do të ndodhin burgosjet e para këtu te ne”, tha Taravari.

I pyetur mbi rifillimin e punës së Fabrikës së Jugohromit në Tetovë e që është ndotësi më i madh i rajonit të Pollogut, Taravari tha se, partia e tij i ka mbështetur OJQ-të në çdo protestë që e kanë zhvilluar kundër Jugohromit dhe do të vazhdojë ta mbështesë aktivitetin e këtyre OJQ-ve. /Telegrafi/